TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot mandatin e deputetit demokrat Zef Maçi në Lezhë. Maçi zëvendëson ish-deputetin e ndjerë Gjovalin Kadeli.

Gjovalin Kadeli, i zgjedhur nga listat e PD-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ndërroi jetë në maj të këtij viti, në një spital në Itali, u ishte shtruar për shkak të një sëmundje të rëndë e të pashërueshme.

Zef Gjergj Maçi, i renditur i shtati në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për Qarkun Lezhë, do ta mbajë detyrën deri në shtator, kur do të zyrtarizohet legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Kadeli ishte numri 5 i PD-së në Lezhë dhe pasuesi i tij në listë është Artan Bushi. Por ky i fundit, në një shkresë drejtuar KQZ-së, ka refuzuar marrjen e mandatit që është i vlefshëm për një muaj.

Ndërkohë betimi i Zef Maçit pritet të ndodhë në seancën e jashtëzakonshme të 24 korrikut kur do të betohet edhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta. Kësisoj Maçi pritet të jetë deputet “aktiv” vetëm për një ditë edhe pse mandati i tij zgjat deri në shtator.

“BalkanWeb” raporton se Maçi rezulton të jetë dënuar në vitin 2001 për pjesëmarrje në tubime të paligjshme, i dënuar me 5000 lekë gjobë, por sipas KQZ nuk e pengon të marrë mandatin e Gjovalin Kadeli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: