UASHINGTON- Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence u distancua sot nga djali i madh i presidentit Donald Trump, Donald Jr., pas zbulimit që ky i fundit kishte takuar në qershor të vitit 2016 një avokate ruse, e cila synonte t’i jepte informacione kompromentuese nga qeveria ruse për Hillary Clinton.

“Zëvendëspresidenti punon çdo ditë për promovimin e programit të presidentit”, deklaroi zëdhënësi i Mike Pence, Marc Lotter, në një komunikatë për MSNBC.

“Ai nuk ishte në dijeni të takimit. Atij nuk i interesojnë më historitë përsa i përket fushatës, kryesisht ato që kanë të bëjnë me kohën para se t’i bashkohej fushatës”, theksoi Lotter.

Don Jr. ka takuar avokaten Natalia Veselnitskaya në “Trump Tower” më 9 qershor 2016 në shoqërinë e dhëndrit të presidentit Jared Kushner dhe drejtorit të fushatës, Paul Manafort, pasi ishte informuar se ajo mund t’u jepte informacione të qeverisë ruse për kandidaten demokrate për zgjedhjet presidenciale.

Djali i madh i presidentit amerikan, Donald Trump ka pranuar sot se kishte takuar vullnetarisht një avokate të paraqitur si e dërguar e qeverisë ruse, e gatshme për t’i dhënë kandidatit republikan informacione kompromentuese për rivalen e tij presidenciale, Hillary Clinton.

Në një përtëritje të jashtëzakonshme të çështjes që goditi mandatin e presidentit të 45-të të SHBA-së, djali i tij Donald Jr., 39 vjeç, ka publikuar vetë në Twitter katër faqe nga mesazhet e shkëmbyera në vitin 2016 me një ndërmjetësues britanik, pasi u informua nga “New York Times” për përhapjen e mundshme të tyre nga e përditshmja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb