NGA ILIR SINANAJ

TIRANE-
Qyteti i Tiranës (Njësitë Administrative nga 1 deri tek 11) e kanë ndëshkuar Partinë Socialiste (PS) të Edi Ramës, duke bërë që ky subjekt politik të marrë 1981 vota më pak në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 se në ato të vitit 2013.

Këto shifra bëhen të ditura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). I ashtuquajturi mandat “Kuqezi” i Edi Ramës ka marrë një goditje nga kryeqytetarët.

Ndërkaq, ajo që vihet re sipas shifrave të KQZ-së është se në Njësinë Administrative nr.5 të qytetit të Tiranës, PS-ja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ka marrë 686 vota më pak se në ato të vitit 2013.

Ky rezultat bëhet edhe më i rëndë për Edi Ramën, për faktin se Njësia Administrative nr.5 e qytetit të Tiranës është një bastion i mirënjohur i PS-së. Ndërkohë, Njësia Administrative nr.5 është zona e dytë (pas Njësisë Administrative nr.11) në qytetin e Tiranës me rënien më të madhe të votave për PS-në në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, krahasuar me ato në vitin 2013.

Për sa u tha më lart duhet theksuar së zgjedhjet parlamentare e vitit 2017 ishin zgjedhjet parlamentare me pjesëmarrjen më të ulët në historinë e pluralizmit në Shqipëri (46,76%, pra më pak se gjysma e zgjedhësve), dhe Edi Rama mori 74 mandate (nga 140) vetëm me rreth 22% të votave të zgjedhëseve shqiptarë, për shkak të Kodit Elektoral.

Një rezultat i tillë do të thotë se për afërsisht 4 nga 5 zgjedhës shqiptarë, Edi Rama nuk është alternativa e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: