Edhe prokuroritë në të gjithë vendin do të jenë në gatishmëri për zgjedhjet e së dielës. Në bazë të komunikimit që ka zhvilluar Prokurori i Përgjithshëm, strukturat lokale të Prokurorisë Shqiptare kanë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë, të cilat janë në funksion duke filluar nga dita e shtunë (dt. 24.06.2017) deri ditën e hënë (26.06.2017). Strukturat e gatishmërisë përbëhen nga prokurorë dhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Seksionit të Prokurorisë.

Në një komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit lokalë të Prokurorive, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese, si edhe orientimin e saktë dhe të shpejtë të hetimit për çdo problematikë të mundshme penale që lidhen me procesin zgjedhor.

Drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore kanë informuar Prokurorin e Përgjithshëm se po zhvillojnë në mënyrë dinamike veprime procedurale mbi kallëzimet penale të përcjella pranë tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka hartuar grafikun e saj të gatishmërisë, me qëllim koordinimin sa më të shpejtë dhe të plotë të të gjithë strukturës për menaxhimin e duhur të problematikave të mundshme.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme po vijon të zhvillojë komunikim intensiv me Task-Forcën e krijuar nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e situatës zgjedhore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb