TIRANË- Një nga nismëtarët e një lëvizje të re brenda PD-së, Besnik Mustafaj, i cili bashkë me Astrit Patozin e demokratë të tjerë kanë nisur takimet me bazën, tregon arsyet që e shtynë drejt kësaj rruge. I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Mustafaj tha se grupi i tyre ka për qëllim të shmangë përçarjen brenda PD.

“Fushata që po bëhet për kryetarin e PD është false dhe fasade. Ne nuk jemi një grupim anti Basha, por jemi një lëvizje që synon shmangien e përçarjes dhe fton të bëhen pjesë e saj si ata që kanë kohë të gjatë në PD, ashtu edhe të rinjtë. Qëllimi ynë është kthimi në identitet i PD që të gjendet në kapacitetet e saj të plota për të bërë opozitë”,- tha Mustafaj.

Ndërsa deklaroi që s’ka qëllim të krijojë një parti të re brenda PD, Mustafaraj e vuri theksin tek gara për kryetar, e cila sipas tij është kontestuar edhe nga rivali i Bashës, Eduard Selami.

“Skam hyrë për të krijuar parti të re, por duhet të nisë reflektimi politik për gabimet e bëra. Basha nuk po e tregon këtë. Nga ana tjetër edhe Selami po konstaton se listat nuk ekzistojnë, se janë të mainipulura, pra që gara është e kërcënuar. Fakti që ai vazhdon e rri në një garë të tillë është zgjedhja e tij”,- shtoi Mustafaj.

I pyetur se cila beson se do të jetë vota e Sali Berishës në këtë garë, ai zbuloi një sekret për të, kur tha se ai njeri nuk do të abstenojë dhe me siguri votën do ja japë ose Bashës ose Selamit.

“Nuk e imagjinoj të abstenojë, nuk e kuptoj se cilit do t’ja japë votën, Bashës përsëri? Një nga bilancet e këqija që po i lë PD është dhurata që i bëri Bashës para 4 vitesh, por nuk e di për kë do votojë. Në këtë rast po e mban të fshehtë”,- tha ai.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: