TIRANE- Situata e krijuar me zjarret në vendin tonë gjatë ditëve të fundit është paraqitur e vështirë, kjo është për shkak të terrenit të thyer në mjaft raste, ku edhe ndërhyrja bëhej gati e pamundur.

Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, duke folur në rubrikën “Opinion” në “News24”, shprehet se forcat e ushtrisë janë të angazhuara maksimalisht në vënien në kontroll të situatës.

“Edhe pse gushti konsiderohet muaj pushimet, forcat e ushtrisë janë në punë. Ne kemi angazhuar 3000 forca. Janë mbi 300 mjete transporti, zjarrfikëse, dhe mjete të tjera, të angazhuara gjatë kësaj periudhe. Po kështu është angazhuar edhe komanda ushtarake dhe policia ushtarake. Padyshim që kjo bëhet pa cënuar programe të tjera”, shprehet Koçi.

Sakaq, ai tregon edhe se cila ka qenë situata më e rrezikshme, ku është ndërhyrë për të shuar vatrat e zjarrit.

“Ka shumë situata të rrezikshme, ku është ndërhyrë. E vështirë është situata e krijuara në Dukat, sidomos në malin e Çikës. Kanë qenë temperatura shumë të larta në zonë, deri në 45 gradë, dhe punonjësit e ushtrisë kanë vepruar në kushte të vështira. Ndërhyrjet e ushtrisë për zjarret kanë qenë në 9 qarqe”, tha ai.

Zv.ministri i Mbrojtjes theksoi se nevojitet një ristrukturim i Emergjencave Civile në mënyrë që të bëhet një menaxhim më i mirë i burimeve njerëzore.

“Pjesa e Emergjencave Civile është për t’u riparë, ka nevojë për ristrukturim, për menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore. Është pa kuptim që forca e armatosur ndërhyn, ndërsa titullarët e pushteti vendor janë me pushime, apo ata të mjedisit”, tha Petro Koçi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: