Nga: ERJOLA JATA

TIRANE-Kur ka mbetur edhe një javë nga mbyllja e afatit për rivlerësimin e pronës qytetarët janë dyndur në sportelet e hipotekës. Ulja e taksës në 2 % ka rritur interesin e qytetarëve të cilët po shfrytëzojnë edhe ditët e fundit të afatitit të vendosur nga qeveria.

Sipas të dhënave zyrtare të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) nga nisja në shtator e procesit të rivlerësimit të pronës në masën 2 % deri më 19 Maj 2017 janë bërë 50 mijë aplikime. Vlera e pasurive të rivlerësuara llogaritet në 4.2 mld lekë.Kjo lehtësi ka sjellë përfitime edhe për qeverinë, pasi për buxhetin janë siguruar shtesë rreth 3 mld lekë .Numrin më të lartë të aplikimeve e kryeson Tirana me rreth 17 mijë aplikime apo 36 % në total të tyre.

Por çfarë procedure duhet të ndjekë dikush që kërkon të rivlerësojë një pasuri?
Fillimisht, pronari apo një person me prokurë për të kryer këtë proces, duhet të marrë formularin në sportelet e hipotekës. Më pas ai duhet të plotësojë të dhënat e tij, numrin e pasurisë dhe taksën që duhet të paguajë. Pas dorëzimit ai bën pagesën në bankë dhe brenda 48 orësh, ndryshimi i vlerës së pronës reflektohet në kartelën e pasurisë. Në vendimin e mëparshëm rivlerësimi I pronës me taksë të ulur 2 % ishte deri ne fund të muajit Shkurt por qeveria për shkak të numrit të lartë të kërkesave e shtyu afatin deri në fund të muajit Maj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: