Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të News24, foli për vendimin e rritjes së çmimit të ujit të pijshëm.

Ai tha se objektivi kryesor i këtij plani 5-vjeçar është që deri në vitin 2021 të ketë ujë të pareshtur për 24 orë në të gjithë Tiranën.

Edhe pse është një vendim që nuk është pritur shumë mirë nga opinioni publik, Mazniku shpjegon se ky plan ka si objektiv edhe përmirësimin e cilësisë së ujit, që të jetë i pastër dhe i pijshëm, shkruan “BalkanWeb”.

“Objektivi kryesor i këtij plani është që deri në vitin 2021 të kemi ujë pareshtur për 24 orë në të gjithë qytetin e Tiranës. Rreth 60% e qytetit furnizohet nga burimi i Bovillës. Uji i Bovillës, nga të gjitha parametrat, është jo vetëm i pijshëm por edhe nuk ka arsye të mos jetë i këndshëm. Por në çezmat e njerëzve, uji kalon nga depozita, e cila nuk e mban shumë të pastër ujin. Ky është qëllimi që njerëzit të mos kenë më depozita, por sa herë të hapin çezmën uji t’i vijë direkt, dhe të jetë i pastër dhe i pijshëm,” tha Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërrimin e tubacioneve, pasi për shkak se janë të shpuar, një sasi e madhe shkon dëm.

“Pjesa më problematike është riparimi i tubave të transmetimit, ku shpesh janë të çara, kanë nevojë për riparime, bypass-e. Kemi përmirësuar linjat e shpërndarjeve nëpër lagje. Zona e Yzberishtit që sot kur flasim ka rreth 50 mijë banorë, do të ketë një linjë të veçantë. Duhen ndërruar tubacionet, që ato të mos rrjedhin ujë. Me tubat e rinj, do të jetë e pamundur që ata të shpohen”, – u shpreh Mazniku.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb