TIRANE- Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, në kuadër të një turi në vendet e rajonit Maqedoni, Kosovë e Mali i Zi zhvillon sot një vizitë në Tiranë, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të shtetit dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha.

Pak orë para mbërritjes zbardhet edhe axhenda e takimeve të tij. Kështu parashikohet që në orën 10:30 ai të mbërrijë në kryeministri për të takuar kreun e qeverisë Edi Rama.

Më pas ai do të takohet me Presidentin e zgjedhur Ilir Meta, takim i parashikaur rreth orës 11:30.

Ndërsa në orën 14:45, zyrtari i DASH so të zhvillojë një takim me kryeopozitarin Lulzim Basha në selinë e PD-së. Rreth orës 17:00, zyrtari i DASH Yee do të zhvillojë një takim edhe me deputetët e PD-së, Astrit Patozin dhe Majlinda Bregun.

Ashtu sikurse citohet edhe nga mediat, vizita në Shqipëri synon gjetjen e një marrëveshje mes maxhorancës dhe opozitës, që kjo e fundit të futet në zgjedhje. Pak para zhvillimit të kësaj vizite në vendin tonë, zyrtari i lartë i DASH, Hoyt Brian Yee bëri një apel, gjatë forumit 2BS të mbajtur në Budva, për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë.

Hoyt Brian Yee shprehet se qytetarët i japin besim politikanëve për t’u përballur në fushën e betejës që është Parlamenti.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin”, tha Yee, sipas një artikulli të botuar në portalin European Western Balkans.

Ai shtoi se qeveritë në rajon, duke përfshirë Malin e Zi, duhet të luftojnë korrupsionin.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit deklaroi po ashtu, se Amerika do të qëndrojë pranë çdo vendi të rajonit. “Partneriteti i Shteteve të Bashkuara dhe BE nuk do të ndryshojë. Amerika është e përkushtuar ndaj aleancës veri atlantike”, dekaklaroi Jee.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb