TIRANË- Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, në kuadër të turit të tij Ballkanik, zhvilloi një takim 80 minuta në zyrën e kryeministrit Edi Rama, ndërsa pritet që ai të ketë bërë përpjekjen e fundit për të arritur një marrëveshje politike mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjet parlamentare.

Ndonëse mbërriti fiks sipas axhendës në takimin me Ramën (10:30), ende mbetet e paqartë nëse zv.ndihmësekretari amerikan i Shtetit ka pasur një ofertë konkrete për liderët politikë.

Gazetarja Marsela Karapanço deklaron për BalkanWeb se zyrtari amerikan ishte i shoqëruar nga ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu, ndërsa kryeministri Rama shoqërohej nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Sipas burimeve, pas takimit me Ramën, Yee do të takojë presidentin e zgjedhur Ilir Meta, i parashikuar rreth orës 11:30, por që do të shtyhet për shkak se takimi me kryeministrin zgjati më shumë se sa ishte parashikuar. Më pas do të takohet edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Ajo që bie në sy në axhendën e zyrtarit të lartë amerikan është takimi që pritet të zhvillojë me një grup deputetësh demokratë, kritikë të kreut të PD-së, Basha, siç është bërë e ditur ajo me Majlinda Bregun, Jozefina Topallin dhe Astrit Patozin.

Pak para zhvillimit të kësaj vizite në vendin tonë, zyrtari i lartë i DASH, Hoyt Brian Yee bëri një apel, gjatë forumit 2BS të mbajtur në Budva, për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë. Hoyt Brian Yee shprehet se qytetarët i japin besim politikanëve për t’u përballur në fushën e betejës që është Parlamenti.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin”, tha Yee, sipas një artikulli të botuar në portalin European Western Balkans.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: