KORCE- Një ditë pas konfliktit me armë që ndodhi pasditen e djeshme në qytetin e Korçës, policia ka bërë të mundur arrestimin e dy autorëve të dyshuar të ngjarjes. Ata janë shtetasit Daniel Morava 43 vjeç, dhe Gazmed Agolli, 49 vjeç, të dy banues në Korçë.
Pasditen e së shtunës, 28 korrik, ata tentuan të vrisnin me armë zjarri 37-vjeçarin Erjon Hoxhallari, pas një konflikti për motive të dobëta të ndodhur para Bashkisë së qytetit.
Sakaq, policia ka arrestuar edhe personi i plagosur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, ku mori edhe ndihmën mjekësore.
“Arrestimi i shtetasve Daniel Morava 43 vjeç, dhe Gazmed Agolli, 49 vjeç, u bë pasi, në lagjen nr 7, në rrugën “Floresha Myteveli”, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi G.A, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin E.H, i cili ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën. Arma e zjarrit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes shtetasit D.M. Po gjatë veprimeve hetimore të kryera u bë dhe arrestimi i shtetasit të plagosur E. H, 37 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Moskallëzimi i krimit” lidhur me këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale bazuar në nenet 76, 22, 278 e 300 të Kodit Penal.
(BalkanWeb)