TIRANE – Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, bëri analizën e tij lidhur me samitin informal të kryeministrave të rajonit, çështjen e kufijve të Kosovës si dhe pranimin e 20 emigrantëve nga Shqipëria.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, deputeti demokrat tha se Rama përgjatë këtyre viteve të qeverisjes nuk ka bërë gjë tjetër përveç se aventurizma politikë, duke larguar vëmendjen e partnerëve.

Përsa i përket nëse ndërkombëtarët do ta pranojnë apo jo marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë, Shehu tha se kjo është një çështje e brendshme që duhet zgjidhur në mbrojtje të interesave kombëtarë.

Pranimin e 20 emigrantëve të bllokuar në Katania të Italisë, Shehu e quajti qesharake dhe reklamë nga ana e Ramës, duke ditur që një gjë të tillë ligji nuk e lejon.

Samiti informal i kryeministrave të Ballkanit, çështja e kufijve, Rama nuk u shpreh kundër. A i mbeteni qëndrimit kundër Thaçit?

Ne shqiptarët hedhim në tavolinë teza që bien ndesh me interesin e shqiptarëve, me gjërat e arritura në këto 25 vite. Ne po humbim vëmendjen e partnerëve tanë kryesorë, duke u marrë me aventurizma. A nuk ishte aventurizëm votimi i Shqipërisë kundër SHBA në OKB? A nuk është aventurizëm të bësh si Rama të flasësh për Trump para kohe? Duke bërë veprime të tilla, ndesh me aleatët tanë të mëdhenj, për interes të një pale të tretë, s’ka interes kush është, ti fillon e largohesh nga ata. Po shkelim në dërrasë të kalbur, kundër interesave tona kombëtare. Kjo qeveri ka bërë aventurizma politikë në këto 5 vite. Nuk i shërbejnë miqësisë sonë të ngushtë me SHBA.

Do e lejojnë ndërkombëtarët këtë marrëveshje?

Këtu jemi në rajonin tonë, as në Lindjen e Largët, as atë të Mesme. Jemi ne që mbrojmë interesat tona. Nuk ka më të keqe se me gjuhën tonë të prezantosh marrëveshje që bien ndesh me interesat tona. Ne duhet t’i analizojmë me vëmendje këto marrëveshje. Se kështu çorientojmë dhe miqtë tanë. Koncepti i ndryshimit të kufijve shkon me ata që duan të krijojnë destabilitet në rajon, e që duan ta mbajnë rajonin jashtë Bashkimit Europian. Dialogu me Serbinë të vazhdojë, por për zgjidhjen e problemeve, me njohjen si vende, e që Kosova të pranohet në OKB. Duhet të luajmë më me seriozitet.

Pranimi i 20 emigrantëve nga Shqipëria

Shoqata e emigrantëve deklaroi që kjo është një çështje e mbyllur se ligjet italiane, nuk lejojnë që emigrantët e futur në një vend të BE, t’i çosh në një vend tjetër. Është qesharake, se bëhet vetëm për reklamë. Fasadë. Italia është partneri ynë kryesor, është partner strategjik i rëndësishëm. Ka rrugë të tjera për të mbështetur Italinë. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë nëse ka një proces të gjerë europian. Se kjo është si tallje, të kërkosh 20 kur ka dhjetëra mijëra, dhe për më tepër kur nuk ta lejon ligji.

e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: