TIRANË- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë Kriminale. Burime nga takimi me dyer të mbyllura pohuan për “BalkanWeb” se është bërë një analizë e situatës dhe masave për goditjen në vijim. Ministri Xhafaj vlerësoi me nota pozitive luftën antikanabis këtë vit por ka dhënë disa paralajmërime të forta.

“U shkëput një pjesë e implikuar e Policisë, nga kjo veprimtari kriminale
Ministri lajmëroi nisjen e një operacioni të gjerë kundër grupeve kriminale në bashkëpunim me partnerët e huaj. Policia të tregohet e fortë me ‘të fortët’”, mësohet se ka thënë ministri Xhafaj gjatë takimit.

Ministri u ndal në analizë me shefat kundër Krimit të Organizuar tek disa nga ngjarjet e fundit. Ai paralajmëroi masa të ashpra për disa nga oficerët e hetimeve në qarqe.

“Reformë dhe riorganizim i strukturës së hetimit. Në Polici do ketë vetëm punonjës bazuar në 2 kritere, integritet dhe aftësi profesionale. Të rihapen dosjet e vjetra në fushën e trafiqeve dhe vrasjeve. Të rritet cilësia e informacionit policor. Goditje të aseteve kriminale të personave me precedentë apo të dënuar”, ka deklaruar Xhafaj.

Burime nga takimi pohuan gjithashtu se Xhaja ka kërkuar nga policia të bashkëpunojë me prokurorinë dhe qytetarët. “Forconi bashkëpunimin me prokurorët e çështjeve. Kujdes komunikimin me qytetarët dhe marrëdhëniet me publikun”, ka thënë ministri i Brendshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb