Megjithëse Shqipëria u kualifikua në Europian falë edhe punës së trajnerit Gianni De Biasi, mes tij dhe FSHF-së duket se ka mosmarrëveshje për rinovimin e kontratës. Qartazi pas ndeshjes palët u panë disi larg, edhe pse gjuha e përdorur ishte e moderuar. Madje kryeministri Rama i kërkoi publikisht, Presidentit të FSHF-së, Armando Dukës rinovimin e kontratës me italianin e shqiptarizuar.

Trajneri italian tha se kontrata e tij rinovohej automatikisht, sepse ky paskësh qenë një premtim publik i Dukës, ndërsa presidenti i FSHF-së, nga ana tjetër, nuk e mohoi këtë fakt, por i përplasi në fytyrë trajnerit diferencën në shifra. Më i qartë ishte Alban Bushi, i cili tha se Shqipërisë i janë ofruar shumë trajner të mëdhenj.

“De Biasi ka një kontratë deri në fund të Evropianit dhe më pas mbaron! Ai është i pari në listë, por Shqipërisë në këto momente që flasim i janë afruar shumë trajnerë të mëdhenj nga bota e futbollit“, tha Bushi për Panorama Sport.

Ai po ashtu meritat për kualifikim nuk ia dha De Biasit, por ekipit dhe çdo shqiptari.
“Kam dëgjuar që të flitet shumë se kush i ka meritat më të mëdha për këtë arritje historike. Për mendimin tim, meritat i kanë të gjithë shqiptarët anembanë botës. Meritat i kanë të gjithë ata djem që dhanë 200% në fushën e lojës, por merita më e madhe është e një njeriu të vetëm që quhet Armand Duka. Ai e bëri këtë popull të gëzojë njëherë në historinë e tij ashtu siç i ka hije. Na bëri të ndihemi krenarë. Na bëri që kudo që të shkojmë të themi me zë të lartë se jemi shqiptarë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: