Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, do të takohen sot në mbrëmje me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.

Ky takim është thirrur nga Veseli, kurse Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane.

“Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit. Tekat personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë”, ka thënë ai.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar për KosovaPress se do të ishte naivitet i papranueshëm nëse shpjegohet se raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikes me Kosovën varen nga heqja e taksës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb