NJU JORK – Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç dhe ai kosovar, HashimThaçi, janë përballuar sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me deklarata.

Vuçiç,që e nisi fjalimin i pari, deklaroi se Serbia ka bërë gjithçka që i është kërkuar për Kosovën kurse Kosova nuk i ka lejuar serbët të vizitojnë as varret e të parëve të tyre.

“Ka ende frikë tek qytetarët serbë dhe joshqiptarë në Kosovë, – theksoi Vuçiç, duke sjellë shembuj edhe nga të kthyerit në Kosovë, që janë sulmuar disa herë. – Pesë shtëpi janë dëmtuar vetëm në qendër të Gjakovës nën udhëheqjen direkte të Mimoza Kusarit, që jepte mesazhin se serbët nuk janë të mirëpritur.”

Përkundër tij, ka dalë Kryeministri Thaçi, që pasi mori fjalën, tha: “Jemi të vetëdijshëm për frikën e kthimit të qytetarëve serbë në Kosovë, për shkak të asaj që ka ndodhur, por ne garantojmë të respektojmë të drejtat e tyre.”

Vuçiç theksoi gjatë fjalimit se dialogu mes palëve është me rëndësi dhe jo konfliktet verbale të politikanëve të dobët dhe shprehu gjithë pakënaqësinë e tij për palën kosovare, e cila nuk lejon që qytetarët të luten lirshëm në kisha.

“Kemi bërë çdo gjë që bota ka kërkuar nga ne. Kemi normalizuar marrëdhëniet me Prishtinën, kemi shmangur konfliktet verbale sepse vetëm politikanët e dobët hapin vraga të tilla.Të gjithë e kuptojnë se kemi ndërmarrë hapa vendimtarë për t’i dhënë momente pajtimi,qytetarëve që jetojnë në Kosovë,”- tha ai.

Pas kryeministrit të Serbisë, e mori fjalën Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi:
“Jemi të vetëdijshëm për frikën e kthimit të qytetarëve serbë në Kosovë, për shkak të asaj që ka ndodhur. Jam i vetëdijshëm dhe i dënoj ashpër sulmet ndaj Kishës Ortodokse Serbe, sepse ajo është pjesë e rëndësishme e jona. Në Kosovë ka më pak incidente ndërfetare se në vendet fqinje.”

Lidhur me situatën pas zgjedhjeve, vonesën në krijimin e Qeverisë, Thaçi tha: “Pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, patëm një bllokadë politike, po që asnjëherë nuk u kthye në krizë. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku ka pasur protesta, në vendin tonë nuk pati sepse klasa politike e Kosovës respekton institucionet, gjykatat, Presidenten, e para Presiente grua që dëshmon emancipim. Asnjëherë nuk krijuam momente dhune. Tani mund t’ju konfirmoj me kënaqësi të veçantë se dy partitë më të mëdha kanë arritur marrëveshje për qeverisje sëbashku me të gjitha moniritetet.

Javën e ardhshme do të arrihen të ngrihet të gjitha institucionet. Kjo marrëveshje është krijuar pa ndërhyrje nga jashtë dhe mendoj se ne kemi treguar një pjekuri politike.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: