Njëra nga llogaritë me më ndikim në X që shtyn përpara dezinformata për imigracionin në Evropë, ka sajuar persona dhe kompani të rrejshme për ta mbuluar veprimtarinë e vet, e cila nxitet kryesisht nga përfitimet financiare, ka gjetur një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL).
Llogaria anonime Europe Invasion mori miliarda shikime duke e shfrytëzuar një algoritëm i cili e prioritizon përfshirjen para të vërtetës – si dhe e ndryshoi emrin rishtazi pasi u kontraktua nga REL-i. Rritja e kësaj llogarie përkrah llogarive të ngjashme në X ka ndodhur në një kohë të sukseseve të fryra zgjedhore të partive të së djathtës ekstreme në Evropë.
Hulumtimi i REL-it – në të cilin bëhen të ditur për herë të parë emrat e njerëzve të lidhur drejtpërdrejt me Europe Invasion – i vë në pah motivet dhe prejardhjen shpesh të errët të dezinformimit online, për të cilin ekspertët thonë se përdoret për ta mashtruar publikun, për të nxitur përçarje shoqërore dhe për t’i prishur proceset demokratike.
Me përmbajte të vazhdueshme që paraqet myslimanët dhe imigrantët afrikanë si të rrezikshëm për shoqërinë, kjo llogari i grumbulloi mbi 600.000 ndjekës, para se ta ndryshonte emrin në “Update NEWS” në fund të nëntorit.
Emri i ri i Europe Invasion
Derisa REL-i po e përgatiste publikimin e këtij hulumtimi, Europe Invasion e ndryshoi emrin e llogarisë së saj në X nga @EuropeInvasions në @UpdateNews724. Ky ishte ndryshimi më i fundit nga disa emra që llogaria ka pasur gjatë dy vjetëve të fundit, sipas të dhënave të arkivuara të llogarisë. Për qëllimet e këtij raporti, emri “Europe Invasion” do të përdoret gjatë gjithë raportit për t’iu referuar kësaj llogarie.
Në tetor, Europe Invasion u mburr se kishte arritur 1.1 miliard shikime gjatë tre muajve të fundit.
REL-i zbuloi se një çift turk që jeton në Dubai – Mert dhe Belgin Kok – është i lidhur drejtpërdrejt me llogarinë Europe Invasion, megjithëse cifti e mohon përfshirjen.
Në shtator, transmetuesi publik suedez, SVT, e lidhi Europe Invasion me këtë çift, i cili pretendoi se pas llogarisë qëndronte një agjenci e jashtme reklamuese. SVT-ja nuk i publikoi emrat e tyre.
Pak më vonë, Europe Invasion deklaroi publikisht se “pronari” i saj është “një malazez me origjinë serbe” me emrin “Stefan,” i cili dëshiron “ta bëjë Evropën të madhe përsëri.”
Pastaj, në fillim të tetorit, Europe Invasion e bëri një postim – i cili është fshirë – me një fotografi të një burri që supozohej të ishte “Stefani”.
REL-i e përdori softuerin për njohje të fytyrës nga burime të hapura për ta identifikuar burrin në fotografi, i cili është një shtetas turk që e njeh Mert Koku. Ai tha se fotografia e tij ishte përdorur pa dijeninë e tij. Ai e mohoi çdo përfshirje në Europe Invasion.
Disa prova i lidhin Mert dhe Belgin Kokun me Europe Invasionin, përfshirë një video e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (IA), në të cilën rrëfen Belgin Kok se si imigrantët afganë janë një rrezik për Evropën. Llogaria Europe Invasion e promovoi këtë video në mars.
Mert Kok pretendoi në përgjigjet e tij për REL-in se ai dhe bashkëshortja e tij “nuk janë pronarët” e kësaj llogarie, duke pohuar se ia kishin shitur atë një “ekipi” që jeton në Mal të Zi dhe që përfshin shtetas të tjerë turq.
Nuk është e qartë nëse krijimi i Europe Invasion – e cila përdor veçoritë e monetizimit të platformës X – ishte bërë vetëm për qëllime përfitimi apo edhe ideologjike.
Llogaria ofron mundësi si abonime me pagesë, mundësinë për dërgimin e bakshisheve, si dhe një link për mbledhje fondesh për atë që Europe Invasion pretendon se është një kanal i planifikuar në YouTube dhe zgjerim i markës së saj.
“Ka rrjete të organizuara që promovojnë dezinformimin. Disa nga këto organizata kanë incentiva financiare pasi po fitojnë para nga promovimi i narrativeve të rrejshme”, tha për REL-in Darrell West, hulumtues në Institutin Brookings në Uashington.
Europe Invasion ka publikuar vazhdimisht pretendime të rrejshme për gjoja përfshirjen e imigrantëve në krime të dhunshme.
Në tetor, ajo pretendoi se një sulm fatal ndaj një gruaje në Britani të Madhe në korrik ishte kryer nga “dy imigrantë somalezë”.
Në fakt, ky pretendim ishte hedhur poshtë dy muaj më parë, pasi ishte shpërndarë nga llogari të tjera kundër imigracionit, për të cilat policia tha se përhapnin “informacion të rrezikshëm dhe të pavërtetë”.
Një burrë 55-vjeçar nga qyteti anglez Ipsviç akuzohet për vrasje në këtë rast.
Një nga postimet më famëkeqe të Europe Invasion u bë në fund të korrikut, rreth dy orë pasi një sulmues në qytetin anglez Southport kreu sulm me thikë, duke i vrarë tre fëmijë. Llogaria anonime pretendoi në mënyrë të rrejshme se autori “dyshohej të ishte një imigrant mysliman”.
Brenda dy ditësh, postimi u përhap me shpejtësi në rrjetet e ekstremit të djathtë, duke mbledhur më shumë se 6 milionë shikime, ndërsa në të gjithë Britaninë shpërthyen protesta të dhunshme kundër imigrantëve.
Sulmuesi, i cili u akuzua për vrasje, ishte, në fakt, shtetas britanik i lindur nga prindër nga Ruanda në Uells. Prokurorët më vonë e akuzuan atë për përpjekje për të prodhuar toksinë ricin dhe për posedim të një manuali trajnimi të Al-Qaeda-s.
Shefi i policisë së Londrës tha se trazirat ishin “nxitur nga dezinformimi”.
Mashtrimi ‘Alissa’
Si Europe Invasion, ashtu edhe një llogari amë, e quajtur Daily Reports, kanë ekzistuar në X, i njohur më parë si Tëitter, për më shumë se një dekadë dhe e kanë ndryshuar disa herë emrin ndër vite, sipas të dhënave të grumbulluara nga X që u rishikuan nga REL-i.
Të dyja llogaritë më parë postonin kryesisht në turqisht, por në fillim të vitit 2024 e fshinë të gjithë historikun e postimeve dhe filluan të postonin kryesisht përmbajtje në gjuhën angleze kundër imigracionit.
Në mars, llogaria në X që më vonë u bë e njohur si Europe Invasion, postoi një video me imazhe të gjeneruara nga IA që përshkruanin gjoja rreziqet e lejimit të imigrantëve afganë në Evropë.
“Nëse duam t’i mbrojmë të ardhmen tonë, qytetërimin tonë dhe fëmijët tanë, duhet t’i themi ‘ndal’ këtij pushtimi”, tha një narrator prapa ekranit të kamerës me një anglishte me theks të vrazhdët.
Në një postim pasues, llogaria ndau një link që të dërgonte në një kanal tashmë të mbyllur në YouTube, të quajtur West To Dubai, që fokusohej te përvoja e të jetuarit në shtetet e Gjirit Arab. Europe Invasion u tha ndjekësve të saj se kanali përmbante video të bëra nga një “studente universitare” me emrin Alissa, rreth “pushtimit të Evropës nga imigrantët”.
Kanali West To Dubai u mbyll pas hetimit të SVT-së. Por, para se të mbyllej, ai përmbante një video rreth jetës në Dubai, e rrëfyer nga një grua që e identifikoi veten si “Alissa” – dhe që këtë herë u shfaq në ekran.
Një analizë që REL-i ua bëri profileve të mediave sociale konfirmoi se gruaja në videon e dytë nuk quhej Alissa, por ishte Belgin Kok, e cila në profilin e saj në LinkedIn figuron si pronare e një kompanie në Dubai që shet llokum, një ëmbëlsirë tradicionale turke.
REL-i gjithashtu i përdori dy algoritma të ndryshëm të njohjes së zërit për të krahasuar zërin e rrëfyeses në videon e shpërndarë nga Europe Invasion dhe disa video të tjera në të cilat Belgin Kok shfaqet në ekran duke folur, përfshirë videon për jetën në Dubai që ajo e prezantoi në anglisht nën pseudonimin Alissa.
Të dy algoritmat e përdorur treguan se zëri i Belgin Kokut përputhet me atë të “Alissa”-s në videon e gjeneruar nga AI, që paralajmëronte për imigrantët afganë në Evropë.
Kanalin e YouTube së “Alissa”-s e karakterizonte gjithashtu llogaria tashmë e fshirë në X, @alissatells, e cila shpërndante dhe ndërvepronte shpesh me Europe Invasion.
“Stefani” dhe lidhja me Malin e Zi
Pasi u kontaktua nga gazetarët e SVT-së, çifti turk, që jeton në Dubai, mohoi përfshirjen në llogarinë Europe Invasion, duke pohuar se pas saj qëndron një agjenci reklamuese në Mal të Zi. Por, REL-i nuk mundi të gjejë asnjë regjistër të kësaj kompanie të pretenduar, e quajtur INV MediaX, dhe e drejtuar nga një person me emrin Stefan.
Pas hulumtimit nga SVT-ja, Europe Invasion publikoi një postim që pretendonte se Stefan është “pronari i faqes Europe Invasion” dhe se ai është “malazez me origjinë serbe”, i cili dëshiron ta “mbrojë kulturën dhe krishterimin evropian”.
Më pas, ajo e publikoi një fotografi të një burri me mjekër dhe syze që po pinte kafe, duke sugjeruar se ai ishte Stefani dhe duke ofruar një link që të dërgonte në llogarinë e pretenduar të këtij individi në X, @IamStefanK.
Ndryshimet e Europe Invasion
REL-i kontaktoi me disa e-maile publike që lidhen me Europe Invasion dhe me “pronarin” e pretenduar Stefan. Pas një kërkese fillestare nga REL-i, llogaria @IamStefanK dhe fotografia e saj u fshinë dhe u zëvendësuan me llogarinë @ContactEI në X, e cila informoi ndjekësit se marka Europe Invasion ishte “marrë nën kontroll.” Në përgjigje të një e-mail-i nga REL-i, llogaria @ContactEI pretendoi se “faqja Europe Invasion, të drejtat e saj dhe llogaritë e tjera, janë marrë nën kontroll nga ekipi ynë” dhe se ky ekip i pretenduar është me bazë në Varshavë dhe “po punon në biznesin e mediave sociale”.
REL-i kontaktoi me njeriun në fotografi, i cili, si Mert dhe Belgin Kok, ka prejardhje nga Izmiri, qyteti i tretë më i madh në Turqi. Ai mohoi përfshirjen në Europe Invasion, por e pranoi se e njeh Mert Kokun dhe se fotografia e përdorur në postimin e Europe Invasion ishte e tij.
“Po, kjo është fotografia ime. Është një fotografi shumë e vjetër. Është bërë para katër ose pesë vjetësh. Por, po dëgjoj për Europe Invasion për herë të parë nga ju. Nuk kam asnjë lidhje me këtë llogari”, tha burri, i cili shtoi se ishte i habitur që fotografia e tij ishte përdorur nga Europe Invasion.
Burri, të cilin REL-i nuk po e identifikon me emër, tha se kishte studiuar në të njëjtën universitet si Mert Kok dhe e kishte takuar atë për herë të fundit rreth gjashtë javë më parë.
Kur u pyet për burrin në fotografi, Koku pretendoi se nuk e njeh “personin për të cilin po flisni.” Ai nguli këmbë se “ne nuk jemi pronarët” e Europe Invasion dhe llogarisë të saj amë, Algorithm Coach.
“Ne jemi myslimanë dhe jetojmë në një vend mysliman. Nuk mund të jemi pronarë të një llogarie kundër myslimanëve”, shkroi ai.
Ai pretendoi në përgjigjen e tij me shkrim se ai dhe gruaja e tij kishin shitur një llogari në X, të quajtur Dubaideyiz (që në gjuhën turke do të thotë “Ne jemi në Dubai”), tek ekipi i pretenduar në Mal të Zi.
Gazetarët e REL-it nuk gjetën asnjë provë që dyshon se ka “pronar” malazez të quajtur Stefan.
Shfrytëzimi i emocioneve
Rritja e shpejtë e Europe Invasion dhe llogarive të tjera që shpesh promovojnë narrative të rrejshme dhe raciste për imigrantët vë në pah gjithashtu se si X ndikon, formëson dhe moderon diskutimet publike rreth imigracionit.
Një studim i botuar në shtator zbuloi se në X përmbajtja kundër imigracionit shpërndahet 66 për qind më shpejt se ajo në mbështetje të imigracionit.
“Shpejtësia me të cilën udhëton është shumë e rëndësishme. Edhe nëse identifikon dhe adreson fjalët urrejtëse, çfarëdo fjalësh urrejtjeje, një javë më vonë, nuk ka vlerë, sepse ndoshta një javë më vonë, ai informacion tashmë është i vdekur, por njerëzit kanë reaguar ndaj tij tashmë”, tha për REL-in Andrea Nasuto, hulumtues italian dhe bashkautor i studimit.
Elon Musk, i cili e bleu X-in në vitin 2022 dhe mori qëndrim si një mbrojtës i lirisë së fjalës, është kritikuar nga kundërshtarët dhe rregullatorët evropianë për shkurtimin e ekipit i cili e mbikëqyr përmbajtjen në X.
Një studim nga kompania NewsGuard, e cila vëzhgon dezinformimin online, zbuloi se pas blerjes nga Musku, llogaritë në X që përhapin dezinformata panë shënuan shumë rritje.
Postimet e Europe Invasion kundër imigracionit shpesh shkaktojnë një shpërthim komentesh ksenofobike dhe raciste.
Përfundimi
Në fund të nëntorit, rreth tri javë pas kërkesës së REL-it për koment nga Mert Kok dhe adresat e e-mail-it të lidhura me Europe Invasion, llogaria në X e ndryshoi emrin sërish. Gjatë publikimit të këtij raporti, ajo njihej si “Update News” dhe përdorte emrin e përdoruesit @UpdateNeës724.
Llogaria e re shfaq fotografinë e Muskut në prapavijën e saj.
Historiku u kërkimeve në X tregon se ky emër u përmend për herë të parë më 28 nëntor. (Po atë ditë, një lëshua një llogari tjetër që operonte nën logon e Europe Invasion dhe me emrin e saj të mëparshëm, duke premtuar një “fillim të ri.” Ajo ka më pak se 300 ndjekës).
Si kontakt të vetin, Update News tani e ka vendosur një llogari e cila gjoja lidhet me një firmë këshilluese digjitale në Boston.
REL-i e kontaktoi kompaninë, e quajtur X Agency, e cila u përgjigj se nuk ka “asnjë lidhje” me Update News.
REL-i nuk mori përgjigje në pyetjen e drejtuar llogarisë Update News përmes mesazhit privat në X.
Që nga ndryshimi i emrit, llogaria duket se ka zgjeruar fokusin e saj në lajme të përgjithshme botërore, por e bëri një shfaqje të shpejtë me një postim që pretendonte – pa paraqitur prova – se “45 për qind e dhunës seksuale” në Itali vitin e kaluar ishte kryer nga imigrantët.
Dhuna seksuale në Itali
Dy javë para postimit të Update News, ministri i Arsimit i Italisë i fajësoi “imigrantët ilegalë” për rritjen e dhunës seksuale, por ai u akuzua për deformimin e të dhënave dhe përhapjen e dezinformatave. Të dhënat e policisë italiane për katërmujorin e parë të viteve 2023 dhe 2024 e përdorin fjalën “të huajt” – jo “imigrantët” – për t’i përshkruar autorët në 44-46 për qind të rasteve të dhunës seksuale në ato periudha.
Llogaria e Muskut u përgjigj në këtë postim duke i vendosur dy pikëçuditje, të cilat Update News i ripostoi më pas me titullin: “Ne jemi media tani!”/REL