Nga: Mariglen Mërtiri*

TIRANË- Në Shqipëri kjo ditë shpesh e më shumë është konsideruar një ditë pushimi dhe festive, ndryshe nga vendet e botës ku kjo ditë shfrytëzohet për të shkundur nga gjumi letargjik qeveritë, që të kthejë sytë nga punonjësit dhe mirëqenia e tyre. Vendi kohët e fundit po përjeton një dëshpërim me largime masive drejt azilit ekonomik për shkak të mosgjetjes së një vendi punë apo edhe një shprese se gjithçka do të rregullohet, por pavarësisht kësaj ende në vend ka prirje për festë. Marrë kjo ndoshta si një arkaizëm i brumosur nga komunizmi i ethshëm i viteve të shkuara.

“Do festojmë familjarisht meqë nuk kemi moshë për të protestuar. Do e festojmë, normale me familjen te ky parku këtu pranë. Nuk jam në punë por të dyja do i bëj protestë dhe festë”, thotë një qytetar.

Të pashpresë duken punonjësit që çdo do ditë e kanë kthyer në ritual daljet pranë Ushtarit të Panjohur, me shpresën se një makinë do të ndalojë për tu siguruar kafshatën e ditës. Zemërata u thotë për protestë, pasi prej ditësh nuk kanë siguruar asgjë, por pohojnë se edhe festë nëse do dëshironin të bënin nuk kanë me se.

“U bëra dy vjet sa e ka marrë Edi Rama pa punë jam, punëtor jam. Unë do protestoj nuk kam para për të festuar. Kam marrë nja 10 kartona, shko në këtë zyrë shko në tjetër, na mashtroi dalim këtu për punë, punë s’ka”,- tha një punëtor.

“Këtu deri në darkë, unë jam i vjetër këtu, puno një ditë dhe rri një muaj, dy muaj. Me çfarë të festoj, ka lekë, jo”,- tha një tjetër.

“Nuk ka punë, puno një ditë rri një javë, ne kemi mendje të hamë bukë, ku kemi mendje ne për festë”,- u shpreh një tjetër punëtor.

Të pakët kanë qenë fillimisht në këtë shesh këta punonjës që vetëofroheshin për çdo lloj pune, por emigrimi që u përplasi derën në fytyrë me krizën e fundit, i ka detyruar të gjejnë të tjerë bashkëvuajtës mëngjesin e ditës tjetër me po të njëjtin shqetësim, punësim për të siguruar mbijetesën dhe asesi festën apo protestën.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: