Në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24 të gazetarit Klevin Muka është diskutuar mbi sulmin në Banjskë, 1 vit më parë, ku mbeti i vrarë nga terroristët serbë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Analisti Andri Nurellari tha se duhet parë konteksti specifik i para një viti, por edhe ai global.
Nurellari tha se është një dështim total i Qeverisë së Kosovës.
“Duhej ta shfrytëzonte këtë sulm në raport me ndërkombëtarët, diplomacia duhet të vepronte, në fakt dështoi.
Sot kemi një Serbi që lajkatoset, që vizitohet nga Scholz e Macron, lejohet të blejë edhe helikopterë të avancuar ushtarakë. Këto janë armatime të avancuara, që më parë Serbisë nuk i lejohej ti blinte, për shkak edhe të afërsisë që kishte me Rusinë”, tha Nurellari.
Ai tha se shqiptarët, si dhe Qeveria e Kosovës, duhet të përfitonte nga situatat kur Serbia ishte me shpatulla pas murit, kur ishte në pikën e saj më të ulët.
“Kosova duhej të përfitonte nga situatat ndërkombëtare dhe pozicionin që ishte Serbia, por Kryeministri Kurti merrej me çështje teknike, që ishin mbyllur që në 2013. Serbia u tregua më inteligjente, ka maksimalizuar mbështetjen nga ato vende që i ka pasur në krah. Serbia ato gurë që ka pasur në duar i ka shfrytëzuar më mirë. Po ashtu edhe në OKB ka votuar rezoluta që qortonin Rusinë, ndërkohë që nuk ka pranuar vendosjen e sanksioneve ndaj saj”, tha Nurellari.
Ai tha se Kosova nuk ka një plan B. “Perëndimi i konsideron veprimet e Kosovës si veprime që krijojnë tension. Pra fajësojnë Kurtin dhe na del viktimë Vuçiç. Në Kosovë vjen shefi i CIA-s për të detyruar Kurtin të mos veprojë në mënyrë të njëanshme”, tha Nurellari.
Ai tha se garancia e sigurisë në Kosovë është te partnerët ndërkombëtarë dhe KFOR. “Serbia garën e armatimeve nuk e bën për Kosovën, por në rivalitet me Kroacinë. Serbia nuk është çmendur që të dalë në konfrontim të drejtpërdrejtë me NATO-n”, tha Nurellari.