Ministria e Arsimit, Besa Shahini përgënjeshtroi shifrat e opozitës për uljen e madhe të numrit të nxënësve në shkollat shqiptare. Sipas ministrisë së Arsimit numri i nxënësve në rënie ndodh prej vitesh dhe shifrat lëvizin nga 10-20 mijë fëmijë cdo vit më pak në bankat e shkollës. Projeksionet për vitin shkollor 2019-2020 sipas ministres Besa Shahini janë 10 mijë nxënës më pak dhe jo 100 mijë sic deklaroi opozita dje.


“Ju keni raportuar se sivjet kemi rreth 380,000 nxënës në arsimin parauniversitar, por kjo shifër përfshin vetëm nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Pra, ju keni lënë jashtë nxënësit e parashkollorit dhe arsimit profesional. Në total, sivjet nga regjistrimet që kemi deri tani, rreth 455,000 nxënës, pa përfshirë arsimin profesional apo 480,000 nxënës në arsimin parauniversitar, përfshirë arsimin profesional, të dhënat për të cilët mbledh MFE.


Dhe supozojmë se do ketë rreth 10,000 nxënës më pak se vitin që shkoi, e jo 100,000 më pak siç keni raportuar ju. Dua të theksoj se numrin final të nxënësve nuk do ta kemi deri në fund të shtatorit pasi javet e para, siç do vit, ka ende lëvizje të nxënësve nga një zonë në tjetrën, nga një shkollë në tjetrën.


Gjithashtu, dua të theksoj se rënia e numrit të nxënësve në shkolla nuk është një dukuri e viteve të fundit e as një dukuri ekskluzivisht shqiptare.  Në gjithë 15-vjeçarin e fundit, nga viti në vit, në Shqipëri ka patur rreth 10,000-20,000 nxënës më pak në gjithë sistemin e arsimit parauniversitar, parashkollor, shkollë fillore, e mesme ulët dhe e mesme e lartë. Trendi i rënies ka filluar nga viti 1992, ka vazhduar me të njëjtin intensitet në kohën e qeverisjes së PD (2005-2013) dhe po vazhdon dhe sot.

Trendi i rënies ka të bejë kryesisht me rënien e natalitetit që është një çështje e cila afekton gjithë Europën JugLindore, përfshirë rajonin tonë të Ballkanit.” u shpreh Shahini. Ministrja e Arsimit e cilëson një sukses shpërndarjen e librave falas dhe kthimi i tyre dhe gjendja e optimale janë një mundësi më shumë që qeveria me pak buxhet të paguajë tekstet falas edhe përr klasat e 6 dhe 7 vitin pauses.

Opozita deklaroi dje se arsimi është në vdekje klinike duke raportuar 145 mije nxënës më pak në shkolla ne 6 vitet e fundit. Sipas opozitës nxënësit me familjet e tyre po braktisin vendin cdo ditë ndërsa politikat arsimore të qeverisë nuk ofrojnë shpresë.

(BalkanWeb)