Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo reagoi sot lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në afërsi të shkollës “Fan Noli”, ku një 14-vjeçar humbi jetën.

Në një deklaratë për mediet, Garo i shprehu ngushëllimet familjes Cani, teksa i uroi të riut tjetër të plagosur shërim të shpejtë.

“14-vjeçari ka humbur jetën tragjikisht, dhe një moshatar dhe shok i tij është i plagosur rëndë, pas një përleshjeje me thika mes nxënësve të shkollës ‘Fan Noli’ në mjediset e këtij institucioni të arsimit”, tha Garo.

“Ajo që e bën tragjik rastin nuk është vetëm humbja e një jete të re, por fakti se policia, institucionet, Ministria e Brendshme, nuk sigurojnë dot as territore të kufizuara dhe lehtësisht të kontrollueshme si shkollat”, u shpreh Garo.

“10 ditë më parë është dashur ndërhyrja e dy mësuesve të gjimnazit ‘Petro Nini’ për të çarmatosur një nxënës që vinte në shkollë me thikë dhe sopatë në çantë”, shtoi Garo.

“Ajo që e bën qesharake Rilindjen është se, kur në krye të Ministrisë së Brendshme dhe të Arsimit ishin Taulant Balla dhe Evis Kushi, ata paraqitën një “paketë të sigurisë” në shkolla. Me kamera, me zhurmë, me rrahje gjoksi dhe premtime ajo paketë, nga e sigurisë është kthyer në të “pasigurisë””, tha ajo.

Garo shtoi se, “fëmijët tanë janë në rrezik. Shkollat ku ata studiojnë janë territore të humbura dhe të pakontrolluara”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: