Format e krimit në përgjithësi, dhe në sistemet diktatoriale në veçanti janë nga më të tmerrshmet, ndryshuan mjetet, por jo synimin, që është eliminimi fizik. Përreth 50 vjet sistemi totalitar komunist në Shqipëri përdori eliminimin e personave kundërshtarë për të krijuar frikë, tmerr e nënshtrim. Kjo metodë u përdor edhe kundrejt mësuesit dhe poetit Havzi Nela. Në dosjen e vitit 1988 theksohej se asnjë lloj dënimi për të pandehurin H. Nela nuk kishte më efekt përveç atij kapital sepse “për të nuk kishte më shpresë edukimi”.

Ekzistenca e tij, theksonin ata, mbarte me vete rrezikshmëri të madhe për shoqërinë e rendin tonë dhe dënimi fatal, varje në litar, ishte i pashmangshëm për të. Dhe me të vërtetë kështu ndodhi. “Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë hodhi poshtë dhe kërkesën e bashkëshortes së H. Nelës, Lavdie Nelës kundër dënimit me vdekje”.

Pra, ankimimi në Gjykatën e Lartë nuk solli asnjë dobi. Gjithashtu edhe nëna e Havziut, Xhevahirja, në një letër drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor me në krye Ramiz Alinë, lutej që t’i falej jeta e djalit, të dënuar me varje në litar. Faljen e jetës së tij e kërkuan edhe motra e tij, nipat e mbesat. Por vendimi i gjykatës dhe i Presidiumit ishte i prerë, që Havzi Nela të dënohej me varje në litar. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje u dha nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, dhe kjo çoi në ekzekutimin e Havzi Nelës. Më 9 gusht 1988, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, nxori urdhrin për ekzekutimin me varje në litar të Havzi Nelës, më 10 gusht, ora 3:30. Ky urdhër mbërriti në Degën e Punëve të Brendshme të Kukësit. Ai ishte përgatitur nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale sipas rregullores nr.01-46, datë 30 mars 1984.

Po më 9 gusht 1988, nga ora 5-7 të pasdites, organizohej festa e grurit dhe e prodhimit. Në këtë festë në emër të Komitetit Qendror, mbajti një fjalim Rahman Hanku. Jo rastësisht në dosjen e Havzi Nelës nr. 94 të vitit 1988, shohim që një nga firmëtarët e dënimit të tij nga Presidiumi i Kuvendit Popullor ishte edhe Rahman Hanku. Nën petkun e kësaj feste fshiheshin shumë gjëra. Përgatitja e skenës së varjes së Havziut ishte një skenë e mirëmenduar e jo spontane, por mjaft e organizuar. Ky ish ministër i asaj kohe kishte ardhur jo për festën e grurit e të prodhimit, por i deleguar me një mandat të zi dhe për të kryer misionin e ngarkuar.

Ditën e mërkurë të 10 gushtit 1988, qyteti i Kukësit ngjante vërtet me një shtetrrethim: kudo ishin instaluar postblloqe e patrulla me policë e civilë nëpër rrugë. Po në këtë datë, në orën 3:30, pas mesnatës, pasi tha fjalën e fundit “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me vete. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër këmbë. Kam 910 lekë dhe kërkoj që këto t’i jepen të afërmve të mi (nënës)”, kryhet ekzekutimi i tij tek stacioni i agjencisë.

Tek sheshi i agjencisë së autobusëve ishte grumbulluar një numër i madh njerëzish, në fytyrat e të cilëve mbizotëronte një heshtje mortore. Sipas dëshmitarit Kujtim Allaraj, varja e tij ishte një pamje e rëndë. “…Çfarë të shikoje: një trikëmbësh i ngritur mbi ca dërrasa dhe në të ndodhej i varur poeti H. Nela, me një litar të lidhur nyje në qafë. Një shenjë mavi kishte përreth qafës. Një këmishë bezhë, me pantollona doku të zezë e të trashë, mbathur me një palë këpucë llastiku. Siç theksonin njerëzit, kishte ndenjur pesë ditë pa konsumuar asgjë, për të mos u përmjerë. Fjala e tij e fundit ishte: “poshtë diktatura”. Lëkundej në litar gjithë dinjitet e i panënshtruar.

Përreth trekëndëshit ku qëndronte i varur poeti në fillim ishin turma njerëzish, forca vullnetare, njerëz të Sigurimit të Shtetit, ushtarakë e policë, që nga frika e pushtetit, nxirrnin nga goja e tyre fjalë e pështyma mbi poetin disident, Havzi Nela.

Më 10 gusht 1988, – kujton shkrimtari Petrit Palushi, – “…në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një “arenë vdekjeje”, siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës”.

Sipër trekëndëshit ndodhej e gozhduar një parullë ku ishte shkruar me germa kapitale: “Havzi Nela, armik i partisë dhe i popullit.” Njerëzit, spektatorë, të sjellë me dhunë, burra, pleq, gra e fëmijë heshtën. Trupi i mësuesit lëkundej sa në njërin skaj në skajin tjetër të trekëmbëshit.

Njerëzit që vinin për të parë se çfarë kishte ndodhur e shikonin të varurin dhe ashtu në heshtje shprehnin pikëllimin dhe dëshpërimin e tyre. Të gjithë ndërmarrjet i kishin urdhëruar të shkonin aty, të shihnin se çfarë mund t’i gjente njerëzit që do të guxonin të dilnin kundër pushtetit diktatorial.

Terrori fizik e psikologjik ishte mbizotërues në diktaturë. Pas trupit të të dënuarit përballeshin, pushteti që e ndëshkonte nga njëra anë, dhe populli si dëshmitar, si pjesëmarrës, viktimë eventuale e ekzekutimit, nga ana tjetër.

PPSH kishte urdhëruar shumëkënd të shkonte ta shihte të varurin që të zinte mend populli dhe të mos guxonte të shante diktaturën e sistemin komunist.

Varja në litar e mësuesit dhe poetit Nela, dëshmon qartë funksionimin e sistemit diktatorial, që çuditërisht ende mbahej në këmbë, madje synonte që me këtë akt të përcillte mesazhin: Mos provoni të mendoni e të gjykoni, apo të bëni siç bëri ky, pasi këtë fat mund të provoni dhe ta keni edhe ju, apo Ja si ndëshkohen kriminelët.

Sipas  dëshmitarëve, ekzekutorët e krimit me uniformë kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën, me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave. Duke përshkruar këtë skenë makabre, Kujtim Allaraj në artikullin e tij, shprehet se: “Përreth tij zgërdhiheshin 3-4 policë që e ruanin të varurin”.

Rastësisht atë ditë një kushëri i Havziut, Horun Nela, ndodhej brenda në qytet. Pas përshpëritjeve të njerëzve mbi ngjarjen e ndodhur, ai niset dhe shkon në vendin ku kishin varur mësuesin Havzi Nela. Madje, policët kur e panë atë që afrohej aty afër, nuk nguruan të talleshin me të dhe, me një ironi të theksuar e të buzëqeshur për aktin makabër që kishin bërë i ishin drejtuar Horunit: “Ke ardhë me pa kushëririn!”. Havzi Nela qëndroi ashtu i varur në trekëndësh deri në orën 12:00, duke u parë jo vetëm nga kuksianët, por edhe të ardhurit nga rrethet fqinje.

Duhet theksuar se mësuesi Havzi Nela është njeriu i fundit që u dënua me vdekje nga diktatura komuniste, por para tij ishin dënuar me pushkatime, kishin vdekur në qeli burgjesh apo kampe internimesh, me dhjetëra krijues, poetë, prozatorë, mjek e inxhinier. Ky ishte një krim makabër, që dëshmoi se, kur diktaturat janë në çastet e fundit, arrijnë të kryejnë krime nga më të tmerrshmet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb