Lihen të lirë tre skafistët vlonjatë të kapur në gomonen e parë nga policia greke. Shqiptarët Aleksandër Brozi, 25 vjeç, Hajri Shehaj, 42 vjeç dhe Renato Dalipaj 42 vjeç, të tre nga Vlora u lanë të lirë me detyrim paraqitje dhe me garanci 10.000 euro secili.


Vendimi u mor dje nga Prokurori i Volos. Avokati i tyre Dimitri Kontula u shpreh se klientët e tyre nuk e pranuan të kenë lidhje me grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe ngjarjen e 25 shtatorit.


Ata thanë se gomonia e tyre nuk ishte paraprirëse e gomones së dytë ku u kap 35-vjeçari shqiptar që tregoi se ku ishte fshehur droga. Avokati i tyre tha se dy gomonet nuk kishin itinerar të njëjtë dhe nuk kishte ngjashmëri kohore dhe tokësore të veprimtarisë së tyre, pasi njeri u kap në Agistri, tjetri në Psara dhe droga në Piperi.


Sipas avokatit, tre të dyshuarit janë paraburgosur në Mitilini ndërsa dosja shqyrtohet në Volos. Vetë të dyshuarit u shprehen se po transportonin 700 litra benzinë nga Agia Marina Koropi në ishullin Psara.

Kjo sasi u gjet nga policia në gomonen e tyre. Ndërkohë 35-vjeçari i arrestuar Gjergji Xhezo, që ndodhet në burg nuk ka pranuar se i njeh apo ka bashkëpunuar me tre bashkëkombësit e tij. Prokurori vendosi për ta masën e sigurimit detyrim paraqitje 3 herë në muaj në Komisariatin e zonës, ndalim dalje nga Greqia dhe 10.000 euro garanci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb