Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Zbardhen detaje të reja për atentatin e përgatitur ndaj emigrantit shqiptar, krim që u parandalua dy ditë më parë nga Policia e Tiranës. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se pas arrestimit të 29-vjeçarit Julian Shorja dhe të fejuarës së tij, 26-vjeçares Riviola T., është bërë e mundur që të zbardhet një pjesë e skemës me të cilën ishte menduar të ekzekutohej emigranti rezident në Itali, i cili pritej që këto ditë të vinte në Shqipëri.
Rrëfimi
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Shorja do të përdorte pikërisht të fejuarën e tij për të futur në kurth objektivin, për ekze-kutimin e të cilit mendohet se do të merrte 10 mijë euro nga dy porositësit që janë akoma në kërkim, Sh.P. dhe M.A.. Të njëjtat burime shtojnë se e fejuara Riviola T. është ndaluar ditën e martë pasi gjatë kontrollit në banesën e saj është gjetur hashash i mbjellë në vazo lulesh, pasi fillimisht policia mendoi se vajza nuk kishte lidhje me minën e telekomanduar, që i fejuari i saj po përgatiste për të vrarë emigrantin. Por, gjatë hetimeve ka rezultuar se 26-vjeçarja do të përdorej si karrem për të tërhequr në kurth emigrantin shqiptar, ndërsa Riviola T., gjatë dëshmisë së saj në polici është shprehur se nuk kishte dijeni për asnjë atentat dhe se nuk e njihte emigrantin. Ndërsa i fejuari i saj është shprehur para grupit hetimor se me dy porositësit ishte takuar disa herë në kryeqytet dhe se ata i kishin treguar objektin që duhej të eliminonte. Julian Shorja ka rrëfyer se ai nuk e njeh personin që do ekzekutonte, madje ka shtuar se nuk i dinte as emrin dhe as motivin se përse duhej ta vriste, pasi dy porositësit nuk i kishin dhënë shumë detaje. 29-vjeçari ka thënë para hetuesve se ai e kishte parë vetëm në një fotografi emigrantin, ndërsa 10 mijë eurot i ishin premtuar se do t’i merrte pasi të kryente punën. Ndërkaq, Policia e Tiranës është duke hetuar të gjitha pistat e mundshme se përse M.A. dhe Sh.P. donin të vrisnin emigrantin rezident në shtetin fqinj. Deri tani dy janë pistat që po hetohen, njëra që lidhet me një borxh të vjetër që mendohet se emigranti u ka dy porositësve dhe pista tjetër lidhet me hakmarrjen, pasi emigranti mendohet se ka pasur lidhje dashurie me gruan e njërit prej 2 personave që kishin porositur atentatin, të cilët janë shpallur në kërkim. Burime policore shtojnë se Julian Shorja ka qenë në vëzhgim prej kohësh nga policia dhe është ndërhyrë pikërisht ditën e martë, pasi kishte informacione të mjaftueshme për të menduar se i riu ishte duke përgatitur një minë të telekomanduar për të vrarë emigrantin. Nga kontrolli i banesës së 29-vjeçarit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 kapsolla detonatore, municione luftarake dhe lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: