PRISHTINE– “Presidentët amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare”, titullohet ekspozita e çelur mbrëmjen e djeshme në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Dhjetë presidentë amerikanë bashkë me shkrimet mbi marrëdhëniet shqiptare me Amerikën, u renditën në hollin e Bibliotekës së Kosovës. Këto fotografi bardh e zi, shpalosën një pjesë tjetër shqiptare, pasi ato ishin shkrepur nga fotografi shqiptaro-amerikan George Times, i cili ishte një ndër fotografët më të shquar të Shtëpisë së Bardhë në periudhën 1919-1994.

Që nga Frenklin Ruzvelt e deri te Xhorxh Bush, fotografitë e Gorge Times, treguan për periudhat e ndryshme të këtyre presidentëve, të cilët ndihmuan që shekullit të njëzetë t’i jepej një trajtë tjetër.

Përveç të pranishmëve të tjerë, pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe ministrja për Dialog Edita Tahiri, e cila ishte e ftuar të thotë disa fjalë në lidhje me këtë ekspozitë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 8 prill në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: