FIER

Është përkujtuar sot në Roskovec ish-deputeti i ndjerë Fatmir Xhindi i cili u vra në oborrin e shtëpisë.

Në ceremoninë përkujtimore kanë qenë të pranishëm kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, deputetë të maxhorancës e përfaqësues lokalë.

Nga kjo ceremoni, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla deklaroi se drejtësia e re do e zbardhë vrasjen e Xhindit.

Ai foli dhe për ndryshime që kanë ndodhur në vend, duke nisur që nga mundësitë e krijuara për opozitën e sotme në parlament, tek ndryshimet në Roskovec e zonat përreth apo edhe drejtësia e re, duke i parë si amanete të deputetit të ndjerë.

“Kur kujtoj sot se ç’hapësira i kemi krijuar ne në kuvend opozitës krahasuar me hapësirat që kishim ne në Kuvend 2005-2009 them që sigurisht një prej amaneteve të Fatmirit ne e kemi realizuar. Sot Shqipëria realisht është një demokraci funksionale. Sot Kuvendi i Shqipërisë është realisht një hapësirë ku nuk luftojnë më siç luftonim me Fatmirin, me Gramozin, me Petron, me Çimin, me Stefanin për të marrë qoftë dhe njëherë të vetme fjalën në Kuvend, drejtuesi i grupit tonë parlamentar. Sot në Kuvendin e Shqipërisë për aq kohë sa ndenji në Kuvend, opozita foli shumë herë më shumë se sa ç’arritëm të flisnim unë, Fatmiri, Gramozi, Petro etj në mandatin e 2005-2009. E sigurisht kur kemi ardhur këtu në 3 maj 2009 gjithë kolegët e tij ne kemi qenë me krahë të prerë sepse na ishte larguar pa ditur arsyen, arsyen të cilën ende nuk e dimë edhe sot një prej njerëzve më të rëndësishëm të grupit tonë parlamentar. Sepse rëndësia nuk është kush flet më shumë në sallën e Kuvendit por është pikërisht se kush është më i lidhur me njerëzit”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se “në ka një model në këto 28 vite e kusur të ekzistencës së pluralizmit, të lidhjes së deputetit me popullin, ndër më të mirët do të mbetet gjithmonë Fatmir Xhindi”.

“Një deputet që nuk heshtte asnjëherë kur bëhej fjalë për problematika të zonës dhe sigurisht një deputet të cilin do kisha dashur shumë që atje në qiell ku është sot të dinte dhe amanetin tjetër që unë mendoj që e kemi çuar shumë përpara. Gjithë këto punë të rëndësishme që kemi bërë sot në Roskovec kanë qenë ëndrra e Fatmirit. Ne kemi arritur ta rilindim Roskovecin dhe zonat përreth. Sigurisht jemi larg asaj që do kishim dashur të arrinim, sot 10 vite pas largimit të Fatmirit, por një gjë është e sigurt motra e vëllezër ne jemi në rrugën e duhur, në rrugën të cilën ëndërroi Fatmiri të shkonim përpara”, tha ai.

Po kështu kreu i grupit parlamentar të PS foli dhe për djalin e ish-deputetit të ndjerë sot deputet.

“Së treti nuk dua të fsheh, Andueli ka pasur një barrë të rëndë mbi supe për të zëvendësuar babain e tij dhe unë jam shumë krenar që si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste t’ju them sot që Andueli është një deputet korrekt, i cili merr pjesë rregullisht në detyrat në parlamentare dhe sigurisht që mban lidhjet me zonën. Dhe unë jam sot këtu për t’ju thënë që ne nuk e kemi harruar detyrën që na ka lënë pas largimi i Fatmir Xhindit, në një mënyrë ende të pasqaruar, një krim që goditi opozitën e asaj kohe vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Por ne kurrsesi nuk ngritëm assesi dorën dhe gishtin kundër qeverisë së asaj kohe dhe as kundër institucioneve të asaj kohe por duhet ta them se ne jemi tërësisht të keqardhur nga mosreagimi në kohë i institucioneve qoftë të policisë së asaj kohe, qoftë të prokurorisë së asaj kohe dhe të gjitha për ta zbardhur këtë çështje”, tha ai.

Balla theksoi se “nuk është koha sot për të rrahur gjoksin dhe për të thënë që ne do ta zbardhim por një gjë është e sigurt, unë i bashkohem thirrjes së kolegut tim Anduel Xhindit, drejtuar të gjitha institucioneve”. “Drejtësia e re që po lind është amaneti tjetër që buron nga Fatmir Xhindi dhe unë jam shumë i sigurt se kjo drejtësi e re që po lind do ta zbardhë këtë çështje dhe sigurisht kushdo që guxoi të ngrinte dorë mbi deputetin e Partisë Socialiste do të marrë dënimin e merituar.”, deklaroi Balla.

Anduel Xhindi i cili është deputet i PS-së kërkoi të gjenden autorët e vrasjes së babait të tij.
“U bënë 10 vjet nga ndarja nga jeta e babait tim dhe drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj. Na mundon pyetja kush e vrau dhe pse e vrau Fatmirin?! Iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen që shpirti i tij të jetë në paqe dhe ne të jemi të qetë”, tha Anduel Xhindi.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi iu bëri thirrje institucioneve për të vënë përpara drejtësisë atë që i mori jetën Fatmir Xhindit.
Zëvendës ministri i Mbrojtjes Petro Koçi tha këto janë 10 vite pa Fatmirin por ne e kemi pasur pranë gjithmonë. Fatmir Xhindi do të mbetet gjithmonë i paharruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb