Në 10-vjetorin e binjakëzimit mes dy kryeqyteteve, Tirana dhe Pekini do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e transportit, investimeve, kulturës dhe turizmit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim të veçantë një delegacion të lartë kinez, të kryesuar nga Nënkryetarja e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të Bashkisë Pekin, Yan Aoshuang, në të cilin u ra dakord për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me sdy qyteteve në disa sektorë të rëndësishëm.

“Kjo është një marrëdhënie që ka nisur 10 vite më parë, kur Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Pekinit bënë binjakëzimin midis dy qyteteve. Ka qenë një marrëdhënie e shkëlqyer në këtë dekadë të parë dhe mezi presim të nisim një bashkëpunim edhe më intensiv me Pekinin në fushën e transportit, investimeve dhe në fushën e kulturës dhe turizmit, sepse i shohim si baza të një marrëdhënie të shëndoshë për ta çuar më tej binjakëzimin tonë”, tha Veliaj, teksa në shenjë miqësie, i dorëzoi Nënkryetares së Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të Bashkisë Pekin, Yan Aoshuang, edhe “Çelësin e Qytetit”.

Tirana është përzgjedhur si qyteti mikpritës i Forumit të 4-të të Kryetarëve të Kryeqyteteve të Kinës dhe Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL) në vitin 2019 që synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe kulturor me 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 5 vende të Ballkanit. Veliaj shprehu bindjen se ky Forum i nivelit të lartë do ta kthejë Tiranën në një epiqendër të marrëdhënieve të Europës me Kinën.

“Një nga gjërat që dakordësuam sot është se Tirana është përzgjedhur si qyteti mikpritës i Forumit “Kina +16”, në nivelin e kryetarëve të bashkive për vitin 2019. Mund të themi se që sot, përveshëm mëngët për t’u përgatitur për të pritur në Tiranë delegacionin e qeverisë kineze dhe 16 kryetarët e bashkive të Europës Qëndrore dhe Lindore. Kjo do ta kthejë Tiranën në një epiqendër të marrëdhënieve të Europës me Kinën”, tha ai.

Gjatë kësaj vizite, kryetarja e delegacionit Yan, Aoshuang dhe kryebashkiaku i Tiranës vizituan edhe Parkun e Liqenit, ku u përuruan edhe “Bisedkat kineze”, një vepër që përcjell traditën kineze të ndërtimit në Shqipëri; kjo hapësirë do të shërbejë si një vend çlodhjeje, por edhe për biseda mes miqsh. Në mënyrë simbolike të miqësisë mes dy qyteteve, u mbollën edhe 24 bredha.

Yan Aoshuang, Nënkryetare e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të Bashkisë Pekin (KPBP) vlerësoi mikpritjen e kryeqytetit shqiptar dhe theksoi se 24 fidanët e bredhit shenjojnë në mënyrë simbolike se miqësia mes Pekinit dhe Tiranës do të jetë gjithmonë e gjallë e plot vitalitet.

“Jam shumë e lumtur, si kryetare e delegacionit të Bashkisë së Pekinit, që marr pjesë në këtë aktivitet. Kemi ardhur nga Pekini në Tiranë me rastin e 10-vjetorit të binjakëzimit mes dy qyteteve tona. Por, gjithashtu, kemi sjellë nga Pekini 24 bredha. E quajmë gjithashtu si ‘bima me gjelbërim të përhershëm’ dhe me këtë simbolizon edhe një marrëdhënie mes njerëzve, që duhet të ruajnë gjithmonë pranverën dhe energjinë. Duke sjellë këtë pemë në Tiranë duam të shprehim në mënyrë simbolike se miqësia mes Pekinit dhe Tiranës do të jetë gjithmonë e gjallë dhe plot vitalitet”, tha ajo.

Kurse, kryebashkiaku Veliaj shtoi: “Kemi hapur një pavijon karakteristik tradicional kinez, për të gjithë ata që do ta shohin si një stoli, por edhe si një përkujtim të marrëdhënies së shkëlqyer që Tirana ka me Pekinin. Jam i bindur se kjo hapësirë do të kthehet shumë shpejt në një nga vendet më të vizituara nga qytetarët e Tiranës”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb