Shërbimi Kombëtar i Urgjencës shënon sot 10 vjetorin e transformimit të tij nga një sistem i degraduar që nuk garantonte dot marrjen e thirrjes për ndihmë, në një shërbim model, bashkëkohor dhe inovativ më pranë qytetarit, që numëron sot me dinjitet mijëra misione të suksesshme jetëshpëtuese.

Në aktivitetin e organizuar për prezantimin e arritjeve dhe sfidave të Urgjencës Kombëtare ndër vite, misionin dhe vizionin e zhvillimit të saj ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu stafin mjekësor dhe drejtues të Qendrës Kombëtare të Urgjencës

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama përgëzoi të gjithë stafin e urgjencës kombëtare mjekësore për punën e palodhur në misionin e tyre fisnik si dhe progresin që kanë bërë ndër vite strukturat e ndihmës së shpejtë në shërbim të qytetarëve.

Gjithashtu, Rama theksoi se “tanimë Urgjenca Kombëtare ka fituar të gjithë autoritetin e fakteve, e provës së madhe të eficencës së saj dhe nuk kemi arsye që të gjithë sistemin e autoambulancave dhe trupave që janë në territor, të gjithë sistemin e koordinimit të Urgjencës të mos e përqendrojmë tërësisht te Urgjenca Kombëtare duke mos lënë më spitalet dhe strukturat e tjera që të futen në mes sepse është një hallkë e tepërt. Sa më shumë hallka të tepërta të kemi, aq më shumë kërcënohet misioni, qoftë i Urgjencës, qoftë i Zjarrfikëseve, qoftë i emergjencave civile qoftë dhe vet i Policisë së Shtetit. Prandaj dhe në këtë aspekt meqë këtu janë drejtuesit e tjerë ne duhet të shkojmë një hap tutje dhe duhet t’i bashkojmë të tëra këto. Natyrisht këto janë struktura që do funksionojnë pavarësisht nga njëra tjera por ama të gjitha thirrjet dhe sinjali i parë i një urgjence, qoftë i natyrës mjekësore, qoftë i natyrës mjedisore, qoftë e natyrës kriminale duhet të vijnë në një vend dhe nga ai vend duhet të shpërndahen, në një godinë, në një njësi të ndarë, ose më saktë në një trupë të ndarë në tre njësi të ndryshme totalisht autonome nga njëra tjetra por me të njëjtin sistem”..

Transformim në kapacitete dhe në cilësinë e ofrimit të shërbimit ndaj qytetarit e solli në vëmendje edhe Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu e cila në fjalën e saj theksoi se: “Flota e autoambulancave nuk është rritur vetëm në numër, por edhe në cilësi. Të gjitha ambulancat e sotme janë të pajisur me kushtet moderne, me aparaturat e nevojshme sipas të gjithë protokolleve ndërkombëtare. Janë të pajisura gjithashtu me GPS që lejon transmetimin e informacionit në kohë reale, por lejon edhe një koordinim shumë më të mirë, duke bërë që qytetari që ka nevojë për asistencë të asistohet në çdo rast nga autoambulanca që ndodhet më pranë. Një nga arritjet më të mëdha të këtij shërbimi është reduktimi i kohës së pritjes nga 45 minuta në vetëm 15 minuta”.

Ministrja Koçiu theksoi rolin e paçmuar që ka urgjenca edhe gjatë periudhës së sezonit turistik duke ofruar ndihmë në kohë reale edhe për turistët që vizitojnë Shqipërinë. “Falë fuqizimit të këtij shërbimi sot kemi një Urgjencë që i përgjigjet jo vetëm nevojave të qytetarëve, por edhe realitetit të një vendi turistik që vizitohet nga miliona turistë në vit. Në vitin e shkuar, programi i 34 qendrave shëndetësore sezonale i ofroi trajtim të menjëhershëm 80 mijë pushuesve, shumë prej tyre vizitorë të huaj” – nënvizoi Koçiu.

Transformimi i ndodhur në këtë shërbim vijon paralelisht  me transformimin e përgjithshëm që po ndodh në sistemin shëndetësor ku 53 spitale dhe shërbime janë rikonstruktuar dhe pajisur me aparatura moderne, nga të cilat 10 janë ngritur nga zero dhe 400 qendra shëndetësore janë rehabilituar plotësisht, duke suportuar më tej Urgjencën.

Ministrja Koçiu tha se “për të fuqizuar më tej këtë shërbim, duke e ditur se mjekët e urgjencës janë ata që punojnë në çdo orë, në çdo turn, i kemi dhënë prioritet formimit mjek familje dhe mjek urgjence në Fakultetin e Mjekësisë. Të gjithë ata që zgjedhin këto degë pranohen pa konkurrim, vetëm me kriterin e mesatares dhe përfitojnë menjëherë 100% të pagës bazë të mjekut. Ky prioritet që është dhënë do të bëjë një diferencë të madhe në vitet në vazhdim, duke fuqizuar më tej kapacitetet tona njerëzore”.

Ajo shtoi se në Shqipërinë e nesërme, Urgjenca do të fitojë edhe më shumë vlerë falë reformës se Autonomisë Spitalore, e cila po ngre një sistem shëndetësor të decentralizuar, me 17 pole ekselence nga veriu në jug. “Prandaj, ne do të vijojmë të rrisim edhe më tej investimet, për të shtuar flotën e autoambulancave dhe përmirësuar infrastrukturën teknologjike, për të rritur  kapaciteteve të trajnimit për personelin mjekësor dhe integrimin e metodave të reja trajtimit. Ne do të vijojmë të rrisim edhe pagat. Kemi trefishuar pagat  e mjekëve dhe të infermierëve, por do vijojmë ta bëjmë këtë sidomos për shërbimin e urgjencës, edhe punonjësit mbështetës në shërbimin e urgjencës. Unë e di që një nga elementët kryesor të misioneve jetëshpëtues janë shoferët e urgjencës që punojnë në një presion kohe të jashtëzakonshëm. Patjetër mbështetja shkon edhe për ta dhe gjithë ekipeve jetëshpëtuese”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Që nga themelimi i saj, në Urgjencën Kombëtare kanë mbërritur 3,570,582 thirrje nga të cilat janë shndërruar në 846,181 misione duke përfshirë transportet mjekësore, trajtimet në vend dhe ndërhyrjet emergjente në raste kritike. Aktualisht pranë Urgjencës Kombëtare vijnë 1427 thirrje në ditë drejt numrit 127 dhe kryhen 440 misione në ditë në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb