TIRANE- “Trashëgimia institucionale dhe jetësore e Kahreman Yllit” ishte tema e aktivitetit të organizuar të shtunën me rastin e 100-vjetorit të lindjes së këtij personaliteti të shquar të arsimit shqiptar.

Aktiviteti i organizuar nga Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave, Universiteti Politeknik dhe Shoqata “Tomorri”, mblodhi njerëz të politikës, shkences, arsimit të cilët sollë vleresimet e tyre për kete personalitetit të rrallë të Shqipërisë, i dekoruar me titujt “Mësuesi i Popullit” dhe “Nder i Kombit”.

I pranishëm në aktivitet, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vuri në dukje angazhimin e jashtëzakonshëm të Yllit në fushën e arsimit, ku veçoi sidomos kontributin e tij në krijimin e tre instituteteve të larta, mes tyre dhe të Akademisë së Shkencave.

“Në fushën e arsimit angazhimi i tij është i jashtëzakonshëm, duke nisur që nga lufta kundër analfabetizmit – të mos harrojmë se gati 90 % e Shqipërisë pas çlirimit ishin gati analfabetë – që nga krijimi i tre instituteve të larta, që do të ishin më pas edhe bërthama e krijimit të universitetit, që ai e drejtoi për më shumë se sa një dekadë; që nga kontributet e tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, për prarimin e Shkencave Albanologjike edhe deri në përkrahjen për Universitetin e Prishtinës, etj. Është një figurë mjaft e rëndësishme, mjaft kryesore në suksesin më të madh do ta quaja unë të sistemit të kaluar, atë të luftës kundër analfabetizmit dhe zhvillimin e arsimit në vend, që padyshim ka qenë një sistem mjaft serioz. Mjafton të kujtojmë që edhe gjimnazi më periferik në Shqipëri ishte mjaft rezultativ dhe ishte mjaft konkurrues edhe me gjimnazet e Tiranës”, deklaroi Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se kjo figurë na frymëzon për të bërë akoma më shumë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve.

“Jetojmë në një kohë mjaft sfiduese, në periudhën e globalizimit të ekonomisë së dijes, dhe ku çdo ditë është e rëndësishme që këto dije të zhvillohen, të përditësohen, sepse përndryshe do të mbetemi pas në sfidat që duhet të fitojmë patjetër”, tha Ilir Meta.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb