SKRAPAR-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në aktivitetin e 100-vjetorit të lindjes të personalitetit të njohur të Skraparit Kahreman Ylli, i cili është dekoruar me titujt “Mësuesi i Popullit” dhe “Nder i Kombit”.

Ceremonia ishte e organizuar nga Bashkia e Skraparit në qytetin e Çorovodës ku ishin të pranishëm personalitete të botës akademike, deputet, ministra, përfaqësues të pushtetit vendor etj.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi kontributin e Kahreman Ylli si ish-Ministër i Arsimit dhe ish-rektor i Universitetit të Tiranës në luftën kundër analfabetizmit, por edhe për kontributin e dhënë lë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare duke u rikthyer në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në Lion të Francës.

“Sot kur të rinjtë tanë që studiojnë jashtë, për fat të keq një pjesë e mirë nuk dëshirojnë më të kthehen, ne Kujtojmë Kahreman Ylli, i cili iku nga Leshnja e Skraparit në Lion të Francës dhe mund të qëndronte atje. Por patriotizmi, atdhedashuria e kthyen për të ndihmuar jo vetëm vendin, popullin, por njëkohësisht edhe për të praktikuar atë profesion të mësuesit pranë vendit që kishte aq shumë nevojë. Përqafoi idetë më përparimtare të kohës që ishin ato antifashiste dhe kur kujtojmë Kahreman yllin sot, kujtojmë të gjithë të rinjtë e të rejat të cilët e rreshtuan Shqipërinë në anën e fitimtarëve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe shumë prej të cilëve dhanë edhe jetën. Por edhe shumë prej të cilëve kontribuan për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit”,- tha Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu se figura e Kahreman yllit është një figurë mbarëkombëtare, e cila merret si shembull edhe në ditët e sotme për arsimin e të rinjve.

“Pa asnjë diskutim që figura e Kahreman Yllit është një figurë mbarëkombëtare, e cila i ka kapërcyer prej kohësh kufijtë e qarkut tonë. Është një figurë e cila rrezaton kudo në të gjithë Shqipërinë, dhe sot në këto kohë sfidash të mëdha, kjo figurë na fton të jemi më të kujdesshëm për fëmijët e Shqipërisë, për të rinjtë e Shqipërisë, për t’i arsimuar më mirë, për t’i ndihmuar që të fitojnë sa më shumë dije, në mënyrë që të fitojnë të gjithë betejat e së ardhmes”,- tha Meta.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: