Në një aktivitet të zhvilluar në “Bibliotekën Kombëtare” me rastin e 100 vjetorit të Musine Kokalarit, kreu i qeverisë Edi Rama e vlerësoi atë si shkrimtarja e parë dhe rilindësja e fundit e brezit të artë të Rilindjes shqiptare. Rama e quajti atë një kundërshtare të hekurt të sistemit komunist, të cilit i frikësoheshin dhe vetë burrat.

Kryeministri gjithashtu njoftoi se puna për hapjen e dosjeve do të nisë pikërisht me Musine Kokalarin. “Me Musinenë do të nisë një kapitull i ri i historisë së Shqipërisë. Për 25 vjet është treguar hipokrizi e madhe me të shkuarën, hapja e dosjeve hedh dritë mbi të. Jam krenar që historia e Kokalarit nis një etapë të re,” tha Rama.

“Një jetë që në hapat e parë dukej një jetë e papërshtatshme në atë që e priste. Vinte nga rruga e vuajtjes, urrejtjes , mllefit për të tjerët, por ishte një vajzë që vinte nga rruga e dijes në një botë që u tregua e pashpirt me të. Fatmirësisht Musineja ishte shkrimtarja e parë dhe rilindsja e fundit e brezit të artë të Rilindjes shqiptare. Mbetet një disidente që i jep një fytyrë tjetër desidencës shqiptare, me burgosjen e saj 40-vjeçare. Një grua që në një kohë të vështirë kur shumë burra u gjunjëzuan përpara torturuesve dhe frikës së të qenit të torturuar dhe që sfidoi me një fuqi të jashtëzakonshme gati të pamundur për t’u besuar se ishte e vërtetë, një sistem mizor ndaj lirisë dhe të menduarit jashtë kornizës së hekurt të sistemit. Historia e saj me gjithë rrethin e afërt të njerëzve të vrarë e të përndjekur barbarisht, është një histori që vlen shumë të mësohet pasi përtej asaj që është dukja e ngjashme e të gjithë historive të persekutimit, qëndron pasuria e jashtëzakonshme kulturore e këtij njeriu. Këtu sot më vjen mirë që mund të japim dhe lajmin se puna e autoritetit kombëtar të hapjes së dosjeve të regjimit komunist do të fillojë me dosjen e Musine Kokalarit për të hedhur dritë mbi këtë histori, si një nga momentet më të rëndësishme ku është përplasur ajo që erdhi më pas si një fuqi e gjithëpushtetshme mbi gjithë shqiptarët, në përpjekjen për të shkuar drejt një Shqipërie tjetër pas Luftës së Dytë Botërore. Hapja e dosjes së Musinesë shënon pragun e pakthyeshëm të emancipimit të shoqërinë sonë në raport me të shkuarën. Në 25 nuk u ndriçuan dhe kuruan si duhej, dhe jam krenar sot që në cilësinë e kreut të qeverisë në këtë aktivitet mund të flas për këtë pakt” tha kryeministri në aktivitet.

Kush ishte Musine Kokalari?
Musine Kokalari lindi në shkurt të vitit 1917, në Adale të Turqisë. Në vitin 1921 familja e saj u kthye në Shqipëri ku u vendos në Gjirokastër ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vite më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë.  Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939.
Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Rinisë”. Në vitin 1944 ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë e mbajtën 17 ditë në burg.
Në janar të vitit 1945 u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.
Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit dhe gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen , ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.

Musine-Kokalari (3)
Musine Kokalari

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb