Eksperti i Çështjeve Ekonomike në PD Dorian Teliti, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 ka prezantuar programin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2025.
Teliti tha se PD ka menduar për familjet e reja. Ai tha se PD në qeveri do të japë 1000 euro për fëmijën e parë të çifteve, 2000 euro për fëmijën e dytë, 3000 euro për fëmijën e tretë. Ai tha se do të jepet bonus edhe për fëmijët që shkojnë në shkollë dhe që prindërit e tyre kanë vështirësi financiare.
Dorian Teliti: Në qendër të programit kemi vendosur individin, familjen dhe sipërmarrjen. Ne do të kemi paketë serioze për të mbështetur familjet e reja. Ne kemi menduar një bonus 1000 euro për fëmijën e parë, 2000 euro për fëmijën e dytë, 3000 euro fëmija i tretë dhe bonus deri 5000 euro nëse një çift ka më shumë fëmijë.
Ne kemi menduar për bonus për fëmijët në shkollë 20 deri në 50 euro në muaj, për familjet që kanë vështirësi ekonomike. Duhet të çlirojmë ekonominë nga klientelizmi. Programi ynë ka lidhje me realitetin shqiptar dhe nuk premtojmë ato që gjëra që nuk premtohen. Ne nuk do ta bëjmë Shqipërinë Zvicër dhe Gjermani, sepse ekonomia e Shqipërisë nuk i ka ata kapacitete. Por, ne këtë ekonomi që ka Shqipëria do ta shfrytëzojmë në maksimum në dobi të qytetarëve. Do të kthejmë taksën e sheshtë, që ka qenë dhe mbetet e suksesshme. Profesionistët e lirë do kenë zero taksë. Do ketë më pak taksa për bizneset e vogla. Ne kemi gjithashtu strategji zhvillimore.
(Balkanweb)