Kostoja e lartë e prodhimit për shkak të fragmetizimit të tokës bujqësore, standardet e cilësisë dhe informaliteti i shitjeve konsiderohen arsyet kryesore pse eksportet e vajit të ullirit vendas janë të ulëta, sipas studimit të vitit 2021 “Për sektorin e ullirit dhe vajit të ullirit” të ekspertëve Drini Imami dhe Luciano Leonetti.

Në vitin 2022 pati mbiprodhim të vajit të ullirit, por shitjet e larta e informale brenda vendit dhe mungesa e tregjeve eksportuese rrezikon të demotivojë fermerët për të mos i shërbyer më kësaj kulture bujqësore.

Sipas studimit vlerësohet se janë rreth 70,000 – 100,000 fermerë të përfshirë në kultivimin e ullirit.

Sipas statistikave të fundit të mbledhura nga anketa me stafin e ekstensionit bujqësor të MBZHR-së, janë rreth 9,000 fermerë që kanë 1 deri 2 ha dhe 2,500 fermerë që kanë mbi 2 ha. Pra, vetëm një pjesë e vogël e fermerëve që angazhohen në prodhimin e ullirit (10%-15% e totalit) mund ta konsiderojnë atë si një aktivitet të rëndësishëm.

“Eksporti shqiptar i vajit të ullirit mbetet shumë i ulët në krahasim me prodhimin e vajit të ullirit dhe importin e ullirit. Shqipëria ka avantazhe të kufizuara konkurruese për eksportin e vajit të ullirit, për shkak të kostos së lartë të prodhimit, vëllimit të ulët në krahasim me vendet kryesore prodhuese të vajit të ullirit dhe standarde të diskutueshme të cilësisë. Megjithatë, disa kompani kanë arritur të gjejnë pikat e tyre të tregut dhe të eksportojnë vaj ulliri të cilësisë së lartë. Partnerët kryesorë janë vendet rajonale dhe ato fqinje. Në vitet 2019 dhe 2020 Shqipëria ka eksportuar vaj ulliri kryesisht në SHBA, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Nga ana tjetër, importet mbeten të larta (pothuajse 1 milion litra) dhe luhaten nga viti në vit, në varësi të prodhimit vendas. Në vitet e fundit, sipas statistikave të UNSTAT-it, më pak se gjysma e vlerës së importit përbëhej nga vaj ulliri i virgjër ose ekstra i virgjër. Pra gjysma tjetër përbëhej nga lloji tjetër (cilësi më i ulët) i vajit të ullirit.

Për shembull, në 2017, u raportua importi i 138 ton vaj ulliri të virgjër dhe ekstra të virgjër (HS 150910) me një çmim mesatar prej 5.19 USD/litër, ndërsa importi i vajit të ullirit tjetër (jo të virgjër) (HS 150990) ishte 665 tonë me çmim mesatar 4.29 USD/litër. Në vitin 2019 shumica e importeve të vajit të ullirit u morën nga Italia (vendi i parë/partneri më i madh për importin e vajit të ullirit për Shqipërinë) dhe Greqia (e dyta), më shumë se 90% e importeve së bashku”, citohet në studim.

Përveç shitjeve të brendshme informale, në studimin “Për sektorin e ullirit dhe vajit të ullirit” theksohet për zhvillimin informal të importit dhe eksporteve nga banorët e zonave kufitare si Greqia apo dhe Italia që kanë prodhim të lartë të ullirit.

“Është e zakonshme që punëtorët sezonalë shqiptarë në Greqi të vjelin ullinj kundrejt një tarife, si 50% e prodhimit. Disa prej tyre sjellin vaj ulliri me mjete të ndryshme në Shqipëri, përfshirë këtu edhe autobusë, që më pas shiten në tregun e brendshëm.

Nga ana tjetër, është raportuar edhe eksport joformal i vajit të ullirit. Emigrantët që vizitojnë rregullisht Shqipërinë (p.sh. blejnë sasi vaj ulliri për të gjithë vitin, apo edhe për më shumë duke qenë se shumë udhëtojnë me makinat e tyre), ka pasur edhe raste të eksportit/transportit të rregullt informal të vajit të ullirit në Itali nga ndërmjetës shqiptarë (nëpërmjet detit Adriatik). Me të mbërritur në Itali, ajo u shitet joformalisht komuniteteve shqiptare përmes rrjeteve (joformale)”.

Studiuesit rekomandojnë se aktorët e industrisë së vajit të ullirit duhet të synojnë tregun vendas, pasi ka mundësi për rritjen e kërkesës.

Për vitet 2009-2021 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tendenca e prodhimit të vajit të ullirit ishte e luhatshme. Në vitin 2012 janë prodhuar 13,745 ton vaj ulliri. Krahasuar me 2011 prodhimi u rrit 50%. Në 2013 prodhimi shënoi rënie 23%.

Për periudhën 2009-2019 tendenca e prodhimit serish shfaqet e luhatshme. Në 2019 janë prodhuar 20 mijë ton vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë prodhimi pësoi rritje të lehtë në 2%.

Për vitin 2021 prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020. Për 2022 ministria e Bujqësisë parashikoi që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se në 2021./monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: