Ramazan Ndreu shkarkohet nga Kukësi pa mbyllur ende prononcimin për mediat pas ndeshjes, ndërsa klubi rikthen në pankinë njeriun që e udhëhoqi drejt titullit kampion në sezonin 2016-2017, Ernest Gjokën.

E gjitha kjo situatë ka ndodhur në harkun e 5 orëve. Humbja në Fushë-Krujë ka sjellë vendime të befasishme te Kukësi, me presidentin Safet Gjici që nuk ka duruar faktin se tekniku krutan për asnjë moment nuk është çuar nga pankina për të udhëzuar lojtarët.

SHKARKIMI I NDREUT

Klubi nuk vonoi dhe e argumentoi shkarkimin e Ramazan Ndreut në faqen zyrtare në “Facebook”, pa mbyllur ende deklaratën pas ndeshjes. “FK Kukësi njofton se pas humbjes në FushëKrujë ndaj Kastriotit, shkarkohet trajneri Ramazan Ndreu. Trajneri nuk menaxhoi si duhet lojën dhe ishte shumë inaktiv në pankinë.

ramazan ndreu

Ai ka pasur mbështetje maksimale nga klubi dhe presidenti, por humbja e ngarkon me përgjegjësi të plotë”, citohej në njoftimin e klubit verior. Kujtojmë që 53-vjeçari nuk rezistoi më shumë se 3 ndeshje në krye të stolit. Debutoi në barazimin me Partizanin (1-1), fitoi për llogari të Kupës së Shqipërisë kundër Teutës (1-0) dhe e ka mbyllur me humbjen e pësuar dje kundër ish-ekipit. Para se të merrej vendimi për t’u ulur në stolin e verilindorëve, krutani mbante postin e drejtorit të menaxhimit

REAGIMI I PRESIDENTIT

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, presidenti i Kukësit konfirmoi se ky dështim ndaj vendit të nëntë të renditjes nuk do të kalohet vetëm me shkarkimin e trajnerit. Safet Gjici është shfaqur i revoltuar me paraqitjen e ekipit, ndaj edhe paralajmëron se nga tani e në vazhdim nuk do të ketë më tolerancë. E megjithatë, numri një i verilindorëve evidentoi se edhe gjykimi bëri të vetën.

safet gjici

“Ishin disa faktorë që ne humbëm. Së pari, gjykimi. Së dyti, ishte trajneri, i cili nuk doli asnjëherë nga stoli. Gjithashtu, edhe presioni i krijuar te lojtarët. Megjithatë, edhe futbollistët luajtën shumë dobët dhe nuk ka justifikim. Do të ketë një analizë të thellë për këtë humbje. Mjaft i kam toleruar lojtarët, nga ky moment i gjithë ekipi do të gjobitet. Gjithsesi, ne jemi Kukësi dhe nuk dorëzohemi deri në fund për kampionat, përtej faktit se humbëm një shans të mirë. Do të luftojmë shumë edhe për Kupën”, deklaroi Gjici.

EMËRIMI I GJOKËS

Pa kaluar shumë nga shkarkimi i Ramazan Ndreut, klubi doli me një tjetër njoftim. Këtë radhë për të komunikuar emrin e pasardhësit. Ernest Gjokës i besohet zyrtarisht pankina dhe qartazi në njoftimin e lëshuar në faqen zyrtare shkruhet që, veç Kupës së Shqipërisë, nuk duhet që të hiqet dorë nga titulli kampion. “Ernest Gjoka rikthehet në pankinën e Kukësit në vend te Ramazan Ndreut, i larguar pas humbjes me Kastriotin. Gjoka ka dalë kampion me Kukësin për herë të parë dhe e njeh mirë ekipin e klubin e Kukësit.

Gjoka-falet

Objektiva të klubit dhe të trajnerit të ri mbeten loja e fortë dhe mosheqja dorë nga titulli kampion derisa e lejon matematika dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë”, shkruante klubi. Ky është i treti trajner te Kukësi, në harkun e 27 javëve. Kujtojmë që sezoni u nis prej Armando Cungut që qëndroi 25 javë, vijoi me Ramazan Ndreun që rezultoi vetëm dy ndeshje dhe i radhës është pikërisht Ernest Gjoka.

Detyra e këtij të fundit nuk do të jetë aspak e lehtë, por jo e pamundur matematikisht. Kur kanë mbetur 9 javë nga ky kampionat dhe diferenca me Partizanin kryesues (pas humbjes së tyre me Luftëtarin) mbetet 9 pikë, Kukësi ka vetëm një synim: rokadën me “demat”. Nëse do ia dalë apo jo, gjithçka mbetet për t’u parë në fazën e katërt dhe të fundit për këtë edicion.

PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb