Nga Besnik Bakiu

13 janari është dita e krijimit të Forcave të Ruajtjes së Rendit, kur 104 vite më parë, qeveria e burrit të madh të shtetit Ismail Qemali vendosi krijimin e këtyre forcave. Ky vendim sanksionoi mënyrën e organizimit, funksionimit si dhe sistemin e pagave për secilin funksion organik. Pas këtij vendimi, u krijuan komiseritë e policisë së qytetit dhe njësitë e xhandarmërisë. Qeveria për krijimin e këtyre forcave ngarkoi Sali Vranishtin, Alem Tragjasin, Hysni Toskën dhe Hajredin Hekalin, kurse si drejtor të parë të Policisë Shqiptare nderi dhe përgjegjësia i takoi Halim Gostivarit.
Jo rastësisht kjo ditë quhet e “Forcave të Ruajtjes së Rendit”, pasi lidhet me historikun e strukturave të cilave u është ngarkuar kjo detyrë, e cila në periudha të ndryshme kohore ka qenë milicia, policia, xhandarmëria.
Por fillimet e Policisë Shqiptare datojnë më herët (shek. XVIII dhe gjysma e parë të shek. XIX), me Pashallëqet e Janinës dhe Bushatllinjve, ku për herë të parë u krijuan policia dhe xhandarmëria. Pashai i Janinës, krijoi dhe organizoi një polici tepër të centralizuar e të fortë me disa lloj shërbimesh, si atë të rendit, porteve, burgjeve etj., kurse Pashai i Shkodrës organizoi forcat e policisë dhe xhandarmërisë.
Qeveria e Vlorës i dha rëndësi të veçantë konceptit të sigurisë, si një prej sfidave më të mëdha të ekzistencës si identitet kombëtar. Kjo duket edhe në telegramet e para dërguar prefekturave dhe nënprefekturave, ku Ismail Qemal bej Vlora, pasi i njofton për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar, porositi “…Lutemi të shpallet edhe atje dhe përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik”, “Është e nevojshme të bëhet një reformim në çështjen… e qetësisë publike”.
Krijimit të këtyre forcave u kishte paraprirë krijimi në 4 dhjetor 1912 i Ministrisë së Brendshme, e cila përgjigjej për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike. Për të përmbushur këtë detyrë, ajo brenda pak kohësh krijoi një Fuqi Civile, një pjese të së cilës i ngarkoi detyra në rolin e policisë për ruajtjen e ligjshmërisë dhe zbulimin e shtypjen e kriminelëve, ndërsa pjesën tjetër e angazhoi për krijimin e xhandarmërisë. Në këtë ministri funksiononte Zyra e Sigurimit Publik me atributet e Drejtorisë së Policisë, ndërsa pranë prefekturave e n/prefekturave ishin zyrat e komiseritë e policisë. Xhandarmëria funksiononte mbi bazën e batalionit (në prefekturë), kompanisë (n/prefekturë) dhe togës (në krahina). Në maj 1913 u krijua Shtabi Madhor, nga i cili varej xhandarmëria, si dhe 3 batalione xhandarmërie (Vlorë, Berat dhe Elbasan).
Më 3 qershor 1913 u vu në funksionim Rregullorja e Qeverisë së Vlorës “Mbi formimin e Milicisë Shqiptare”. Po në këtë kohë, u vendos për herë të parë uniforma kombëtare e xhandarmërisë dhe policisë. Ndërsa, më 20 dhjetor 1913, doli dekreti i Qeverisë së Vlorës “Mbi formimin e Xhandarmërisë Shqiptare në krahinat e jugut”.
Rëndësia e këtyre akteve qëndron jo vetëm në faktin se për herë të parë u hodhën bazat institucionale të Forcave Shqiptare të Rendit, por edhe për tentativën për t’u shkëputur nga tradita e vjetër ligjore osmane, por si një nga lëvizjet e para drejt Perëndimit.
Në vitet e Luftës së Parë Botërore ku Shqipëria u pushtua disa herë nga ushtritë e huaja, pushtuesit organizuan xhandarmërinë dhe policinë, për të garantuar rendin dhe mbrojtur interesat e tyre si pushtues.
Pas formimit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, në maj 1919 filloi organizimi i xhandarmërisë dhe policisë. Më 21 shtator 1919, Ministria e Punëve të Brendshme formoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Publike. Në këtë vendim u përcaktuan struktura organike, pagat e personelit dhe organizimi territorial i tyre sipas ndarjes së re administrative.
Në 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, në kuadër të masave për ngritjen e administratës dhe vendosjes së rendit e qetësisë publike nisi punën për krijimin e një policie me profil të ri, duke u mbështetur si në traditën e mëparshme të vendit, ashtu edhe në përvojat e përparuara të vendeve të ndryshme të Evropës.
Në 1922, shkrihet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, dhe detyrat e saj iu ngarkuan xhandarmërisë.
Në dhjetor 1926, u rikrijua Drejtoria e Policisë, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kurse në maj 1928, dekretligji organik i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përcaktoi edhe përgjegjësitë e Komiserit të Policisë, i cili kishte për detyrë: “Të sigurojë qetësinë e qytetit e të zbatojë rregulloren e policisë”.
Një nga arritjet më të mëdha të kësaj periudhe ishte miratimi i Kodit Penal Shqiptar, i cili hyri në fuqi më 1 janar 1928.
Me Dekretin Mbretëror, të datës 25 qershor 1935, u bë suprimimi i Policisë së Sigurimit Publik dhe zëvendësimi i saj me Xhandarmërinë Qytetëse. Ky shërbim i ri me të drejta e detyra tërësisht policore do të funksiononte si në vendet ku ekzistonte policia, ashtu edhe në qytete e vende të tjera ku shihej e nevojshme.
Pas Luftës së Dytë Botërore, modelimi i Policisë Shqiptare u bë sipas përvojave lindore. Këto praktika që vazhduan për afro 5 dekada modeluan një polici të tipit militar, deviza e së cilës ishte “mbrojtja e shtetit të diktaturës dhe udhëheqjes politike të kohës”. Më 14 maj 1945, u bë organizimi i Drejtorisë së Policisë Popullore dhe organeve të saj qendrore e vendore, dhe më 30 gusht 1945, Kryesia e KANÇ-it nxori ligjin mbi formimin e Policisë Popullore, në çdo prefekturë dhe nënprefekturë pranë KANÇ-eve vendore, si organ “ekzekutiv i administratës shtetërore”.
Gjatë viteve 1945-1990, kanë ndodhur disa ndryshime në fushën e organizimit dhe strukturimit të policisë. Policia arriti të funksionojë gradualisht si një shërbim i qëndrueshëm me aftësi profesionale dhe në ndihmë të popullsisë. Si rrjedhojë e punës së suksesshme të Policisë në këto vite në drejtim të uljes së kriminalitetit, zbulueshmërisë së lartë, eliminimit të gjakmarrjes dhe disa treguesve të tjerë pozitivë në ruajtjen e rendit e sigurisë publike në vend, në vitin 1970, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoron Policinë me “Urdhrin e Shërbimit të Klasit të Parë”.
Me rënien e regjimit komunist, filloi puna e vështirë për reformimin e Forcave të Armatosura. Më 8 qershor 1991, Kuvendi Popullor miratoi ligjin për depolitizimin e këtyre forcave. Një vit më vonë, më 30 korrik 1991, Kuvendi Popullor miratoi ligjin “Mbi Policinë e Rendit”, ku “Policia e Rendit është organ ekzekutiv i armatosur, pjesë përbërëse e Ministrisë së Rendit Publik, në strukturën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, veprimtari që bazohej “në Kushtetutë e në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe i përmbahet parimit të ligjshmërisë, të humanizmit e të objektivitetit”.
Më 4 nëntor 1991, Policia Shqiptare pranohet anëtare e INTERPOL-it. Më 14 janar 2002, Presidenti i Republikës i akordon Policisë së Shtetit Urdhrin e Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Po të ndjekësh transformimin e policisë në vite, të bie në sy roli i qenësishëm që ka luajtur faktori ndërkombëtar në forcimin e modernizimin e saj. Ky kontribut ka qenë i pranishëm që në fillesat e saj me misionin holandez të kryesuar nga kolonel William de Veer dhe zëvendësi i tij major Ludvig Thomson, vazhdoi me misionin britanik të kryesuar nga Gjeneral Major Sir Jocely Perscy dhe Koloneli W. F. Stirling, dhe është i pranishëm edhe sot me Programin e SHBA ICITAP, Misionet Evropian PAMECA, FRONTEX, SEPCA, DCAF, SELEC, CEPOL, Misionet italiane INTERFORZA dhe Guardia di Finanza, Misioni i OSBE, Programet suedeze SIDA e SCPA etj.
Në këto vite post-diktature, Policia Shqiptare është ndeshur me shumë të përpjeta e tatëpjeta. Meqenëse shoqëria shqiptare vuan nga amnezia, në këtë ditë jubilare gjej rastin të risjell në kujtesën e të gjithëve disa fakte “të harruara”.
Policia e zhvillon veprimtarinë e saj në një shoqëri ku kultura ligjzbatuese është e mangët dhe ku shkelësit e ligjit janë në mazhorancë; në një ambient politik shumë të ndotur dhe agresiv; në një territor ku kanë munguar adresat e rrugëve dhe banesave; ku gati 20 vjet popullsia ishte e paregjistruar dhe e papajisur me letërnjoftime; ku infrastruktura publike (semaforë, kalime e mbikalime etj.) lënë shumë për të dëshiruar; ku informaliteti është dukuri sunduese; në një sistem drejtësie që vetëm drejtësi nuk ka dhënë.
Dy herë në dhjetëvjeçarin e parë të kësaj post-diktature kemi përjetuar tri herë cenime të rënda të rendit kushtetues, duke i detyruar partnerët ndërkombëtarë të na dërgojnë forca për rivendosjen e rendit dhe qetësisë.
Dhe, më kryesorja, mungesa e një konsensusi politik për të krijuar një Polici Shteti (jo Pushteti) të qëndrueshme, të aftë profesionalisht dhe të depolitizuar, e shoqëruar kjo me vendosjen e Policisë së Shtetit në epiqendër të akuzave nga opozitat e radhës, sikur të ishte e keqja më e madhe e këtij vendi.
Përballë këtyre fakteve, vetvetiu lindin pyetjet: Pse nuk i ka interesuar politikës shqiptare krijimi i një institucioni të fortë policie? Do ta përdorë, apo ka frikë nga inkriminimi i vet? Apo të dyja bashkë? Siç duket, raporti frojdian i urrejtjes midis zbatuesit të ligjit (policisë) dhe antiligjit ka qenë mbisundues.
Në këtë 104-vjetor kujtojmë me nderim e mirënjohje të veçantë gjithë të rënët dhe të plagosurit e policisë në krye të detyrës, të cilët për fat të keq, jo vetëm nuk janë të paktë në numër, por i kalojnë në numër ato të një lufte. Është për t’u përshëndetur dhe inkurajuar veprimi i ministrit të Brendshëm për ngritjen e Murit të Kujtesës në hyrje të këtij institucioni, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes dhe nuk mjafton, pasi duhet që vlerat humane dhe profesionale, sakrificat e punonjësve të policisë të vlerësohen në të gjallë të tyre nga të gjithë.
Në fund, përveç urimit për gjithë punonjësit e policisë “Gëzuar festën, miqtë e mi!”, dua t’i apeloj gjithë shoqërisë shqiptare se Policia e Shtetit me gjithë 1001 problemet që ka, përsëri ka qenë e mbetet institucioni më i mirë, më i besueshëm dhe më i përgjegjshëm në Shqipëri, prandaj duajeni, respektojeni, mirëkuptojeni dhe ndihmojeni atë! Siguria është e pamundur pa këtë bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: