TIRANË

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka uruar ushtarakët shqiptarë për 106-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura.  Nisjen e trupave për në Afganistan, ministrja Xhaçka e konsideroi koincidencë shumë të bukur duke e quajtur “kontingjenti i 106-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura.”

Një kontingjent me 66 ushtarakë shqiptarë, që përfshin dy toga të batalionit Komando dhe batalionit të tretë të këmbësorisë së Poshnjes u përcoll për në misionin e Nato-s në Afganistan. Ministrja Xhaçka vlerësoi kontributin e trupave shqiptare në misionet jashtë vendit, si dhe njoftoi angazhime të tjera ndërkombëtare për Forcat tona të Armatosura.

“Përfaqësimi në këto misione është shndërruar tashmë në simbolin e profesionalizmit dhe të përkushtimit të ushtarakëve tanë. Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe  profesionalizmi i tyre është demonstruar në marrjen përsipër dhe kryerjen e detyrave me rrezikshmëri të lartë në bashkëpunim me trupat aleate, për të cilat unë personalisht kam marrë vlerësime maksimale dhe të merituara prej personaliteteve më të larta ushtarake dhe politike të Aleancës gjatë vizitave në teatrot e operacioneve, por edhe në takime të nivelit të lartë të NATO-s.

Ne jemi prezent në Afganistan, ku për herë të parë këtë vit forcat tona speciale po trajnojnë forcat speciale afgane. Njëherësh jemi kontribues edhe në Mali, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Letoni dhe së shpejti do të fillojmë angazhimet nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Djemtë tanë të Forcës vijojnë operacionet duke shpëtuar çdo muaj dhjetëra jetë njerëzish në detin Egje.”- u shpreh Xhaçka.

Në përcjelljen e trupave për në Afganistan morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral brigade,  Bardhyl Kollçaku, ambasadori i Turqisë në vendin tonë Murat Ahmet Yörük si dhe  komandantët e forcave dhe familjarët e efektivëve që u nisën në mision.

Me këtë rast, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit, major Kreshnik Bunguri.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb