Ati i shenjtë jep këshillat e tij për martesat e reja dhe ato të vjetra, ku rrëfen rëndësinë e dashurisë, mirësjelljes, si dhe durimit dhe mirëkuptimit për të çuar përpara një lidhje

Së fundmi, Papa Françesku publikoi një dokument të titulluar “Amoris Laetitia” ose “Lumturia e Dashurisë” në latinisht, ku jepen këshilla nga më të ndryshmet për dashurinë dhe martesën.

Ndërsa shumë njerëz kritikojnë kundërshtimin e vazhdueshëm të Papës ndaj martesës gej, “Amoris Laetitia” është gjithashtu një përparim nga dogma e zakonshme e krishterimit, pasi flet për divorcin dhe martesat e dyta të të krishterëve. Në të shkuarën, ata që divorcoheshin pavarësisht rrethanave konsideroheshin të dëbuar nga kisha. Ja cilat janë këshillat frymëzuese të Papa Françeskut për dashurinë.

Gjithnjë mbajini sytë hapur në një lidhje
“Një pamje vlerësimi ka rëndësi shumë të madhe dhe zakonisht shpërfillja është e dëmshme. Sa shumë gjëra bëjnë bashkëshortët apo fëmijët që të bien në sy! Shumë dhimbje dhe probleme dalin kur ne nuk e shohim më njëri-tjetrin”, shkroi ai. “Dashuria i hap sytë tanë dhe na bën që të shohim, përtej gjithçkaje vlerën e madhe të një qenieje njerëzore”.

Mos kaloni shpejt në një lidhje tjetër
“Mendoj, për shembull, për shpejtësinë me të cilën njerëzit kalojnë nga një marrëdhënie dashurie në tjetrën. Ata besojnë, prej rrjeteve sociale, se dashuria mund të lidhet dhe zhbëhet me shpejtësinë e një konsumatori. Ata gjithashtu mendojnë se një marrëdhënie e dështuar “mund të bllokohet”. “Ne i trajtojmë marrëdhëniet e dashurisë siç trajtojmë objektet dhe mjedisin: gjithçka është njëpërdorimshme. Njerëzit marrin atë që duan dhe pastaj e flakin. Narcizmi i bën njerëzit të pamundur të shohin përtej vetes, dëshirave apo nevojave të tyre. Megjithatë, herët ose vonë ata që përdorën të tjerët do të përfundojnë të përdorur, të manipuluar dhe të skualifikuar nga i njëjtin mentalitet”.

Mirësjellja bën diferencën
“Në familje duhen përdorur tri fjalë. Dua ta përsëris këtë! Tri fjalët janë: ‘të lutem’, ‘faleminderit’, ‘më fal’. Le të mos kufizohemi në përdorimin e këtyre fjalëve, por të vazhdojmë t’i përsërisim ditë pas dite. Disa heshtje shkatërrimtare mes familjarëve, motrave dhe vëllezërve mund të thyhen shumë mirë përmes përdorimit të fjalës së duhur dhe dashurisë”.

Dashuria është si vera e mirë
Duhet kohë për të ardhur në versionin më të mirë. Nuk është aspak ndihmuese të ëndërroni për dashurinë idilike dhe perfekte pa pasur stimuj rritjeje. Një nocion qiellor i dashurisë tokësore harron se më e mira pritet të vijë. Sepse dashuria ashtu si vera bëhet më e mirë me kohën. Eksperiencat e përditshme të besnikërisë e bëjnë jetën martesore më të pasur dhe për këtë duhet durim.

Dëgjimi është një formë arti
“Merrni kohë, kohë që ka kuptim. Kjo do të thotë se duhet të filloni të dëgjoni me vëmendje dhe durim gjithçka që personi tjetër do të thotë. Kërkon një vetëdisiplinë të mos flasësh derisa të jetë koha e duhur. Në vend që të ofroni një opinion ose këshillë, sigurohuni se keni dëgjuar gjithçka që duhej. Kultivoni një heshtje të brendshme që ju bën të dëgjoni tjetrin pa shpërqendrime mendore apo emocionale. Mos u nxitoni dhe krijoni hapësirë, duke lënë mënjanë shpërqendrimet tuaja mendore dhe emocionale”.

Ndonjëherë një pikëpamje e ndryshme nuk është e keqe
“Mbajeni mendjen të hapur. Mos e kufizoni veten çdo ditë me idetë dhe opinionet tuaja të pandryshuara, por përgatituni t’i ndryshoni dhe t’i zgjeroni ato. Kombinimi i dy pikëpamjeve krejt të ndryshme mund të çojë në një sintezë që ju pasuron të dyve”.

Mënyra si e thoni është më e rëndësishme
“Aftësia për të thënë atë që po mendoni pa ofenduar personin tjetër është e rëndësishme. Fjalët duhet të zgjidhen me kujdes që të mos ofendoni, veçanërisht kur po diskutoni për çështje të ndryshme. Një argument nuk duhet të përfshijë zemërim dhe të nxisë dhimbje. Një ton dominues sjell dhimbje, tallje, akuzim dhe ofendon të tjerët. Shumë mosmarrëveshje mes çifteve nuk janë për gjëra të rëndësishme. Por mënyra si e thoni e kapërcen atë që po thoni.

Pamja tretet, zemra mbetet
“Përgjatë çdo martese, pamja e jashtme ndryshon, por kjo nuk do të thotë se në të vërtetë tretet dashuria dhe tërheqja. Ne e duam njëri-tjetrin për atë që jemi, jo vetëm për trupin. Megjithëse trupi plaket, ende shpreh identitetin personal që në fillim na mori zemrën. Edhe nëse të tjerët nuk arrijnë të shohin më atë bukuri, një bashkëshort vazhdon ta shohë dashurinë te sytë dhe tërheqja nuk i ikën”.

Kompromis, kompromis, kompromis
“Ndërsa dashuria piqet, mëson të negociojë. Larg nga llogaritë dhe egoizmi, negociata të tilla janë një ushtrim i dashurisë së përbashkët, ku ne japim dhe marrim për të mirën e familjes. Në çdo fazë të hershme të jetës martesore, duhet të ekzistojë diskutimi dhe negocimi, pasi nuk ka fitimtarë apo humbës, por që të ketë dy fitimtarë. Në shtëpi, vendimet nuk mund të merren nga njëra palë, ngaqë çdo partner ka përgjegjësi për familjen”.

Mos u mbroni gjatë një grindjeje
“Përballë një krize, ne priremi të reagojmë fillimisht në mbrojtje dhe në një farë mënyrë në ndjesi faji, kjo gjë na dëmton. Ne priremi ta mohojmë problemin, ta fshehim apo t’ia ulim rëndësinë me shpresën se do të largohet. Por kjo nuk ndihmon, vetëm sa i përkeqëson gjërat, ju humbet energjinë dhe vonon një zgjidhje”.

Mos shpërfillni kurrë bagazhin emocional të dikujt
“Shumë njerëz kanë fëmijëri të vështira ku nuk kanë marrë dashuri pa kushte. Kjo prek aftësinë e tyre për t’i besuar dhe për t’iu hapur të tjerëve. Një marrëdhënie e keqe me prindërit apo motrat e vëllezërit që nuk është shëruar mund të rishfaqet dhe ta dëmtojë një martesë. Kur problemet e së shkuarës shfaqen në martesën tuaj, përpara se të merrni vendime të rëndësishme duhet të siguroheni t’i gjeni një zgjidhje të shkuarës”.(shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb