Sot bëhen 32 vjet nga vdekja e diktatorit Enver Hoxha, ish-liderit komunist që drejtoi Shqipërinë për 45 vjet me dorë të hekurt. Për shumëkënd në Shqipëri kjo datë ka mbetur e paharruar. Miliona shqiptarë kanë qarë për vdekjen e tij, të cilën e shihnin si fundin e botës. Por si e ka përjetuar kryeministri Edi Rama këtë e tregon analisti Artur Zheji, i cili ka hapur arkivin e tij të kujtimeve për të treguar gëzimin e papërmbajtshëm të të dyve ditën që vdiq Enver Hoxha.

NGA ARTUR ZHEJI
Ishte si sot, një ditë me diell, edhe 11 prilli i vitit 1985. Në Akademinë e Arteve, në sallën e madhe të koncerteve, organizata e partisë së shkollës, kishte mbledhur të gjithë, studentë dhe pedagogë. Na u komunikua zyrtarisht “lajmi i hidhur”, Enver Hoxha kishte ndërruar jetë, por dhimbja duhej kthyer në forcë dhe të gjithë duhet të rrinim grusht bashkuar rreth partisë! Dhe të vigjilonim që armiku të mos përfitonte dot, nga kjo humbje e madhe.

Filluan të qarat, si në një histeri kolektive dhe fjalimet e përlotura. Me Ramën ishim takuar edhe më herët, në palestër se luanim basketboll çdo mëngjes nga ora 7 deri në 8. E kishim marrë vesh lajmin dhe nuk dinim se si ta fshihnim gëzimin e madh, që diktatori kishte ikur njëherë e përgjithmonë.

Fillimisht u ulëm në platenë e sallës së koncerteve, sepse ishte një mbledhje e detyrueshme, mirëpo Edi ishte nervoz dhe nuk duronte dot fjalimet idiote dhe të përlotura, të studentëve dhe pedagogëve që jepnin shfaqje me lot dhe me të çjerra. Ndërkohë që ne nuk dënim se si ta fshihnim gëzimin e brendshëm.

“Ikim lart te galeria, sepse këtu biem shumë në sy” – i thashë. Dhe ashtu bëmë. Ndenjëm pak aty dhe pastaj u larguam fare. Mirëpo edhe jashtë shkollës, situata ishte e keqe. Sigurimi i Shtetit, ishte i acaruar. Komunistët bolshevikë dhe radikalë, kërkonin me sy të përlotur dhe të përgjakur, që të gjithë të qanin dhe të kishin fytyra rreptësisht të mërzitura thellë. Përndryshe… Ndërkohë kishin filluar arrestimet, thjesht sepse dikush kishte qeshur, apo kishte treguar një barsoletë, atë ditë “zie Kombëtare”.

Nuk mund të shkoje dot në ndonjë lokal, apo në ndonjë vend tjetër publik dhe të ishe vetvetja.

Mirëpo problemi ishte Edi. Ai nuk përmbahej dhe kishte dëshirë ta shprehte dhe tregonte qyfyre që na bënin për të qeshur.

“Eja me mua!” – i thashë, “ikim te gjyshja ime! Rrimë te bahçja aty nuk na sheh njeri dhe qeshim e gëzojmë sa të duam!” Dhe e mora me vete. Aty gjetëm gjyshen time, nga ana e nënës, Behixhen, të përlotur. E përqafuam dhe e ngushëlluam formalisht, sepse ajo si nënë dëshmori që ishte, nuk mund të bindej që ishte mirë që përbindëshi kishte ikur në drejtim të paditur.

Dolëm nga ana e pasme e bahçes dhe shpërthyem në të qeshura. Ramës gati nuk i besohej, që mund të kishte vdekje edhe për Enver Hoxhën.

Kush thotë se Rama, ka qenë enverist gabohet, ose bën politikë. Se çfarë metamorfoze apo se çfarë shndërrimi ka ndodhur sot me të, kjo është një çështje tjetër.

Por në 11 Prill 1985, natyra i çliroi shqiptarët nga diktatori dhe që atëherë, shqiptarët prodhojnë më së shumti, liderë politikë, që herët a vonë fillojnë dhe i ngjajnë atij. Sidomos për mosrespektin e madh për njerëzit dhe për mbivlerësimin e paarsyeshëm për veten, si qendra e rreme e Botës! Të cilës mund ti falet çdo gjë. Hoxha ka vdekur, por modeli i tij, jeton ende. Jo vetëm te Edi Rama… /360grade.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb