Nga Artan FUGA

(- Drejtuar zotit Lulzim Basha – te Çadra e Lirive qytetare – në kuadrin e projektit të tij për një Kontratë të re të Republikës me qytetarin,
– drejtuar zotit Ilir Meta në kuadër të kritikave të tij shumë të drejta ndaj rregullimit aktual normativ të arsimit të lartë,
– drejtuar studentëve dhe pedagogëve të arsimit të lartë privat, qytetarë të lirë dhe të respektuar,
si edhe kujtdo qytetari tjetër të interesuar)

Teza e parë:
Shkollat e larta private krijohen dhe funksionojnë si sipërmarrje krejtësisht të lira, me vullnet krejtësisht të lirë administrimi, në një konteksti tregu sipas parimeve bashkëkohore liberale dhe jo si xhungël ku i madhi ha të voglin dhe ku sikurse thoshte Aristoteli luanët keqpërdorin rëndë dhe abuzojnë me lepujt. Mbi këtë bazë lirie, shkollat e larta private i sigurojnë vetë kontingjentet e studentëve të tyre si edhe të gjitha buxhetet e funksionimit të tyre, çka nënkupton edhe përfitojnë lirisht marzhet e tyre të fitimit sipas çmimeve dhe tarifave që vendosin krejtësisht në mënyrë të lirë.

Teza e dytë:
Fokusimi i ofertës në treg nga ana e shkollave të arsimit të lartë privat bëhet jo kuturu, por mbi licencimin që mban parasysh si në shoqëritë perëndimore të zhvilluara nevojat e tregut, respektimin e konkurrencës dhe politikat publike për arsimimin e qytetarëve pavarësisht moshës së tyre. Mbi këtë bazë arsimi i lartë privat dhe ai publik nuk dëmtojnë njeri tjetrin dhe nuk rivalizojnë midis tyre, sepse shkollat e larta private kanë prioritet të veprojnë lirisht kryesisht në programet e studimeve të profesionalizuara, teknike, të specializuara shkencore.

Kjo bëhet mbi parashikimet e forcës publike mbi tregun e punës dhe sinoptikën afatgjatë të tij. Diplomimi gjeneralist i qytetarëve masivë konsiderohen një praktikë puniste, ukltraliberale, mashtruese, shkatërrimtare dhe deontologjikisht e dënueshme. Çdo program studimesh licencohet për një periudhe jo me te gjate sesa koha që përfshin dy cikle te plota studimesh.

Teza e tretë:
Shkollat e larta private kanë të drejtë ekskluzive të përdorin lirisht fonde financiare që vijnë nga regjistrimet e studentëve ose nga të ardhura dytësore, duke përjashtuar të ardhura nga kanabisi ose nga praktika korruptive në bashkëpunim me të tretë, qofshin këta edhe persona me funksione publike të përkohshme, por mund t’i përdorin këto fonde vetëm dhe tërësisht për qëllimin që janë krijuar, pra rritjen e cilësisë të mësimdhënies, për asgjë tjetër. Përdorimi i parave të ardhura nga studentët dhe familjet e tyre për qëllime të tjera konsiderohet si shkelje e besimit qytetar.

Lemë:
Rrjedhimisht, brenda logjikës të moskoncentrimit pronësor që dëmton konkurrencën e lirë dhe kulturën e vërtetë liberale, kundër monopolit parazitar, ky kancer i shoqërisë shqiptare, implikimi i shkollave të larta private, me çfarëdo lloj kompanie tjetër aktivitetesh private, si media, aktivitete turistike, dipomatike, apo në imobiliare, etj., përbën një konflikt interesi që dëmton interesat e qytetarëve dhe të mirën publike sikurse është arsimi i qytetarëve. Liria e qytetarëve e përjashton këtë praktikë.

Teza e katërt:
Shkollat e larta private mund të marrin buxhete nga shteti në ato fusha studimore ku fuqia publike e sheh të nevojshme, duke përfituar të ardhura nga regjistrimet e qytetarëve në këto shkolla. Por, tarifat e regjistrimit të qytetarëve të këtij lloji nuk mund të jenë më të larta sesa ato të regjistrimit në Universitetet publike, si edhe ata nuk mund të detyrohen nga shkollat e arsimit të lartë privat të paguajnë asnjë çmim tjetër shtesë sesa tarifa bazë. Qytetarët e tjerë të regjistruar sipas qejfit ose fuqisë blerëse të tyre, paguajnë tarifa të liberalizuara tërësisht.

Teza e pestë:
Të gjitha buxhetet, burimet financiare, fitimet, pagat, dhe çdo e ardhur ose shpenzim tjetër i shkollave të larta private janë krejtësisht transparente për qytetarët dhe botohen rregullisht në raportet e tyre vjetore sipas kritereve të dhëna nga ministria e financave.

Lemë:
Të gjitha ato shkolla private, në interes të qytetarëve dhe mosabuzimit me ta, që nuk përballojnë dot ndershmërisht financiarisht veprimtarinë e marrë përsipër me kontrata individuale me çdo qytetar të regjistruar në to, shpallen të falimentuara. Përgjegjësia mbi pasojat bie ekskluzivisht mbi pronarët dhe aksionerët e tyre. Po ashtu, mospagimi i taksave si edhe detyrimeve të tjera që vijnë nga shërbimet publike, etj., për një prapambetje më shumë se dy vjet, janë shkak i panegociueshëm falimentimi.

Lemë:
Shkollat e larta private konkurrojnë para agjencive publike ose edhe agjencive të fondeve private sikurse çdo sipërmarrje tjetër private ose ekip shkencor për përfitime fondesh por vetëm në fushën e inovacionit teknik si edhe të kërkimit shkencor.

Teza e gjashtë:
Kriteret për vlerësimin vjetor të cilësisë të arsimit të lartë privat nuk bëhen me kërkesa qesharake si metrat katrorë, numri i pedagogëve me tituj, numri i titujve në arshivat gjoja biblioteka, etj., por kryesisht nga tregues të matshëm cilësorë. Këto shkolla duhet të krijojnë kushte bibliotekare moderne, bashkëkohore, dhe jo të shesin për biblioteka arshiva kopjesh të skaduara librash të mykur. Duhet të kenë një bazë kompjuterike të destinuar, shërbimin e lirë wi-fi, mbrojtjet e doktoraturave nëse u jepet kjo e drejtë, bëhen para komisioneve rajonale, me profesorë të të gjitha shkollave publike dhe private, dhe jo në forma korruptive të vetëgjykimit me bazë trafikun e interesave dhe korrupsionin pasiv, ose çdo lloj promiskuiteti tjetër.

Teza e shtatë:
Shkollat e larta private ndërtohen lirisht si shoqëri aksionere. Ato financohen nga paratë e qytetarëve të lirë, zotër të parasë së investuar, dhe kanë si organ më të lartë administrimi asamblenë e aksionerëve që janë kryesisht të gjitha familjet familjet ose autoritetet e tjera financuese për studimet e qytetarëve të interesuar për të ndjekur studimet atje, si edhe financues të tjerë duke përfshirë, nëse e gjykon, edhe shtetin.

Teza e tetë:
Pronarët dhe aksionerët nuk kanë asgjë tagër mbi çështje që lidhen me përmbajtjen e mësimdhënies dhe atë të kërkimit shkencor, sepse në këto dy drejtime shkollat e larta private administrohen demokratikisht, në respekt të dijes për qytetarët, vetëm dhe ekskluzivisht nga të njëjtat organe kolegjiale ose nga autoritete personale të zgjedhura lirisht sikurse do të jenë edhe ato në universitetet publike.

Teza e nëntë:
Në shkollat e larta private pedagogët, si qytetarë të lirë dhe jo si skllevër fabrikash të kohës të Dikensit, kanë të njëjtat të drejta dhe nuk lejohet abuzimi me ta dhe personalitetin apo dinjitetin e tyre duke i përdorur si mish për top për tekat e aksionerëve apo pronarëve, sikurse edhe për pedagogët e universiteteve publike.

Lemë:
Konkurrimi për vende pune nga qytetarët për pedagogë në shkollat e arsimit të lartë publik shpallet botërisht, kontrollohet procedurialisht nga punonjës të përmbarimit gjyqësor, kryhet sipas kritereve rast pas rasti të shpallura e aprovuara nga ministria e arsimit dhe e shkencës. Konkurrimi bëhet në seanca publike të hapur për të gjithë qytetarët e interesuar të marrin pjesë.

Teza e dhjetë:
Në Shqipëri funksionojnë lirisht dhe pa nevojë licencash burokratike të ngarkuara të gjitha filialet e universiteteve private ose publike të akredituara në një nga vendet e BE ose të Amerikës së Veriut.

Teza e njëmbëdhjetë:
Diplomat e shkollave private, në bazë të klasifikimit të tyre pesëvjeçar, ndahen sipas këtyre kategorive dhe bëhen publike sipas kësaj ndarjeje:
a. Diploma të vlefshme për t’u punësuar edhe në sektorin publik
b. Diploma të njohura nga shteti
c. Diploma të njohura nga arsimi privat, por jo nga shteti.

Lemë e fundit:
Në respekt të depolitizimit të arsimit për qytetarët dhe mbrojtur qytetarët nga ndotja politike, ideologjike, e manipuluar dhelpërisht, u ndalohet drejtuesve kryesorë dhe pronarëve të shkollave të larta publike të mbajnë qëndrime publike brenda mjediseve të shkollave, në media ose kudo, të shprehin qëndrime politike, sidomos në vite fushatash elektorale.

Kategoria e këtyre drejtuesve që detyrohen moralisht dhe ligjërisht ta respektojnë këtë përcaktohet me VKM të veçantë ose edhe me një urdhëresë të ministrit ose ministres të arsimit qytetar dhe shkencës që nuk mund të jetë dikush që nuk ka të paktën titullin e “Profesorit” prej dhjetë vjetësh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: