PRISHTINË-Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe qytetarë të shumtë kanë mbajtur homazhe pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova në 11 vjetorin e vdekjes së tij. Figura e Rugovës u cilësua si dijetar dhe profet i gjithë shqiptarëve.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu tha se sot po kujtojnë dijetarin dhe burrështetasin Ibrahim Rugova. “Edhe sot sikurse para 11 vjetësh është e madhe dhe e pa kompensueshme dhimbja, por ne po punojmë mbi bazën e projekteve të tij, të trashëgimisë së tij, kjo është një humbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për miqtë, për LDK, për njerëzit, për shtet ndërtimin dhe Kosovën në përgjithësi”, tha ai.
Kryetari i degës së LDK-së në Obiliq, Mehmet Krasniqi, u shpreh se “Rugova ka orientuar Kosovën në aspektin politik drejt perëndimit që ka qenë shpëtimi jonë i vetëm”.

Për figurën, veprimtarinë dhe kontributin që dha presidenti Ibrahim Rugova, po mbahet edhe një akademi përkujtimore.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb