TIRANË

Ndonëse kanë kaluar 11 vjet nga tragjedia e Gërdecit dhe janë thënë shumë, ka ende shumë për të thënë për ngjarjen që shkaktoi 26 të vdekur dhe qindra të plagosur. Gazetari Erjon Skëndaj ka qenë sot në vendin e tragjedisë, në Gërdec duke sjellë për “BalkanWeb” dëshminë e një të mbijetuari.

Sabiti, mbeti i plagosur në atë ngjarje dhe në këmbë mban kujtimin e asaj tragjedie, një hekur që i mundëson të ecë e të lëvizë.

“Kam qenë demontues, operator i thjeshtë. Bënim veprime pasi vinin arkat me municione, hiqnim elementët e rrezikshëm dhe më pas lejonim punëtorët më të thjeshtë. Unë isha 20-25 metër nga vendi ku ndodhi shkëndija. Dëgjuam një zë, një grua që tha ikni se ra zjarri. Unë mora grupin tim të punëtorëve për t’i larguar. U plagosa në këmbë, e kam me hekur. U përpoqëm të largonim sa më shumë njerëz”, tregoi ai.

Sabiti tha se ishte një gabim njerëzor dhe një shkelje e masave të sigurisë në punë.
“E dinim se çfarë do të ndodhte pas atij shpërthimi. Ishte tamah e madhe për të punuar sa më shumë. Thesi me barut u vu mbi arkën e sapo salduar. Karroca ishte e salduar aty në afërsi dhe sa mori thesi, shkëndija nuk ndalohej më. Si shkëndijë kashte. Ishte gabim dhe shkelje e masave të sigurisë”, tha Sabiti
Ai tha se për këtë tragjedi nuk është vendosur ende drejtësi por se nuk do dorëzohen.
“U dënuan njerëz të pafajshëm. Nuk jemi dorëzuar por në Strasburg nuk e ndjek dot, si unë ashtu dhe të tjerët. Por të gjitha janë të shkruara”, tha Sabiti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb