Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ishte sot pjesë e ceremonisë së mbajtur për 112 vjetorin e Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij ai u ndal edhe tek zgjedhjet e 11 majit, ku theksoi se kërkohet një energji dhe angazhim shtesë nga ana e strukturave policore.

“Sipas kodit elektoral, policia ka detyra specifike në sigurimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim kohe dhe energjie të shtuar, për çdo punonjës policie. Qoftë për ata të caktuar drejtpërdrejt në shërbimet përkatëse në garantimin e procesit, qoftë për pjesën tjetër, të cilëve do t’iu rritet ngarkesa në punë. Megjithatë, unë kam besim se strukturat e Policisë së Shtetit zotërojnë aftësitë e duhura, integritetin dhe përkushtimin e kërkuar, për të qenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Hoxha.

Ministri shprehu edhe bindjen se brezi i ri i drejtuesve të policisë në qendër dhe qarqe, do të plotësojë më së miri angazhimet e marra në momentin e marrjes së detyrës.

“Procesi i ndryshimeve në strukturat drejtuese, reflekton qartë përpjekjet tona për të ndërtuar një polici që jo vetëm qëndron mbi baza meritokracie, por që u shërben qytetarëve me profesionalizëm dhe ndershmëri”, tha ai.

Fjala e plotë:
13 Janari mbetet një ditë e shënuar për historinë e shtetit shqiptar, është 112-vjetori i Policisë së Shtetit.
Përmbi një shekull, të organizuara si xhandarmëri në vitet e para e si Polici më pas, kjo trupë ka përballuar detyrat të vështira në shërbim të Shqipërisë.
Bashkë me krenarinë e ligjshme, ngazëllimin dhe ngrohtësinë që përçon kjo ditë, për arritjet dhe sukseset e trupës së policisë ndër vite, njëherësh, ajo na sjell ndërmend përpjekjet dhe barrën e rëndë që i është dashur të mbajë mbi supe.
Kështu, duke e parë nga një perspektivë historike, natyrshëm dalim në përfundimin se një punë e mirë, nuk mund të realizohet pa mund, djersë e sakrifica. Natyrshëm asgjë nuk ndodh vetvetiu.
Kam nderin dhe privilegjin që, – si Ministër, – të përkujtoj veçanërisht emrin, figurën dhe heroizmin e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit, të rënë në krye të detyrës.
“Dëshmorët e Atdheut” nga radhët e Policisë, janë e do të mbeten në përjetësi, një kurorë lavdie, të cilën nuk mund të mohojë askush. Emrat e tyre, të skalitur në këtë memorial, dëshmojnë qartas tributin e rëndë në jetë njerëzore, që ka paguar Policia së Shtetit, në këto tri dekadat e fundit. Njëherësh emri, gjaku dhe kujtimi i tyre janë si një testament, që duhet të ruhet denjësisht e me përkushtim nga çdo punonjës policie. Sot, dhe në brezat e ardhshëm.
Në këto ditë të para të 2025-ës, bashkë me urimet për një vit të ri të mbarë e të begatshëm për çdo punonjës policie e familjet e tyre, dëshiroj të përcjell edhe një mesazh për më shumë angazhim e përgjegjësi në përmbushjen e detyrave që ju ngarkon ligji, në shërbim të qytetarëve, rendit e sigurisë në vend.

Është vërtet një rastësi e bukur, fakti që ky përvjetor i 112-të i krijimit të Policisë, përkon plotësisht me numrin unik të emergjencave 112. Prandaj, ky përvjetor duhet të na shërbejë si një ogur i mbarë për të qenë në çdo moment në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve.
112-vjetori i policisë i vitit 2025 dhe numri unik 112, janë në një simbiozë që mund të ndodhë vetëm një herë. Prandaj apeli im për çdo punonjës të policisë, është që ta konsiderojmë këtë vit si një vit special në shërbimet që ne duhet të sigurojmë për qytetarët.
Përveç barrës së zakonshme të punëve dhe detyrave që keni, viti 2025 ju sjell edhe një ngarkesë shtesë, jo të lehtë për Policinë e Shtetit dhe vetë Ministrinë e Brendshme. E kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë dekretuar për t’u zhvilluar në datë 11 maj. Sipas kodit elektoral, policia ka detyra specifike në sigurimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim kohe dhe energjie të shtuar, për çdo punonjës policie. Qoftë për ata të caktuar drejtpërdrejt në shërbimet përkatëse në garantimin e procesit, qoftë për pjesën tjetër, të cilëve do t’iu rritet ngarkesa në punë.

Megjithatë, unë kam besim se strukturat e Policisë së Shtetit zotërojnë aftësitë e duhura, integritetin dhe përkushtimin e kërkuar, për të qenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Me ndryshimet e bëra së fundmi në radhët e drejtuesve të policisë, që erdhën si pasojë e zbatimit të ligjit të ri, – të cilat përbëjnë në vetvete një ngjarje të shënuar në historikun e Policisë së Shtetit, – synimet dhe ambiciet tona janë që të kemi një rritje cilësore të punës dhe rezultateve, janë të legjitimuara.

Me këtë rast, dua të shpreh bindjen se brezi i ri i drejtuesve të policisë në qendër dhe qarqe, do të plotësojë më së miri angazhimet e marra në momentin e marrjes së detyrës.

Procesi i ndryshimeve në strukturat drejtuese, reflekton qartë përpjekjet tona për të ndërtuar një polici që jo vetëm qëndron mbi baza meritokracie, por që u shërben qytetarëve me profesionalizëm dhe ndershmëri.

Te brezi i ri i drejtuesve unë shoh garancinë e sigurisë për qytetarët tanë, shoh modele të integritetit dhe drejtësisë, që do të udhëheqin me vizion dhe vendosmëri.

Të nderuar,
Reformat dhe ndryshimet në radhët e policisë, nga ana tjetër, duhet të konsiderohen si marrje të një përgjegjësie edhe më të madhe.

Një përgjegjësi e shtuar për të zbatuar ligjin me përpikmëri, për të forcuar marrëdhëniet mes policisë dhe komunitetit dhe për të rritur besimin e qytetarëve në vetë institucionin.

Dua të theksoj këtu se gurët kilometrikë të vendosur nga paraardhësit, duhen parë si orientim drejt së ardhmes për të bërë më shumë. Sepse më shumë pret shoqëria nga ne duke na besuar, për ta ngritur organizatën në nivelin më të lartë mes vendeve partnere europiane.

Para strukturave të Policisë së Shtetit,
sot qëndrojnë disa nga sfidat më kritike të kohës sonë:

-Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;
– Garantimi i sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit;
– Rritjen e efektivitetit në hetimin e rasteve të dhunës në familje, trafikimit apo krimeve që i konsiderojmë të vogla por që cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve tanë.
– Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, është një tjetër kërkesë dhe detyrë për ju, duke siguruar që çdo qytetar të ndjejë mbështetje dhe të merret në mbrojtje kur të jetë në nevojë nga Policia e Shtetit.

Më lejoni t’ju kujtoj këtu edhe njëherë se puna e strukturave drejtuese të policisë nuk do të matet vetëm nga numrat e rasteve dhe problematikat e zgjidhura, por edhe nga perceptimi i sigurisë nga qytetarët. Nuk do të matet vetëm nga urdhrat që jepen nga zyra, por edhe nga shembulli dhe modeli që demonstroni çdo ditë, në çdo veprim apo vendim tuajin.

Dëshiroj të shoh një trupë drejtuese që nxit bashkëpunimin dhe transparencën, jo vetëm brenda radhëve të policisë, por edhe me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm, por që për të ecur përpara drejt Shqipëria2030, kemi nevojë për institucione të forta, të drejta dhe të besueshme. Pjesë integrale e këtij vizioni është brezi i ri i drejtuesve.

Në mbyllje, dua t’ju them se në këtë rrugëtim Policia e Shtetit nuk do të jetë vetëm, por do të ketë përkrahje të pakursyer nga Ministria e Brendshme, qeveria shqiptare dhe personalisht prej meje si ministër.

Jemi të angazhuar për t’ju mbështetur në çdo hap. Së fundmi kemi miratuar programin e dytë për kreditë me zero interes për banesa, për 90 punonjës të tjerë me uniformë. Ky program do të vijojë, për t’ju gjendur pranë dhe mbështetur të rinjtë në Policinë e Shtetit.

Nga punonjësit e Policisë së Shtetit kërkohet të mbajnë gjithmonë të njëjtin idealizëm dhe pasion me të cilin kanë hyrë në këtë shërbim, kur janë betuar si punonjës policie.

Kam besim të plotë se secili prej jush do të përmbushë me nder dhe dinjitet detyrën që ju ngarkon ligji.

Duke e mbyllur dëshiroj të uroj çdo punonjës të Policisë së Shtetit – Gëzuar përvjetorin e 112-të të Policisë!
Bashkë me urimet, dua t’ju përcjell juve dhe familjeve që ju mbështesin, falënderimet tona më të thella për çdo sakrificë të bërë në shërbim të qytetarëve, të mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike, për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë. Faleminderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb