NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Dymbëdhjetë kala shqiptare do të mund të vizitohen virtualisht falë një projekti që ka realizuar për to pamje 3D, çka mundëson një vizitë online në këto kala. Bëhet fjalë për kalanë e Gjirokastrës, të Tepelenës, si edhe të Kardhiqit, Libohovës, Këlcyrës, Shtepëzës, Melanit dhe Shën Triadhës. Ndërkaq, do të bëhet edhe prodhimi i panoramave 360 gradë duke përdorur fotot e marra në kalatë Selo; Palokastër, Jerma (Antigonea) dhe Labova e Kryqit. Specialistët shqiptarë që kanë punuar me këtë projekt, janë disa: Blerinaa Bino, Përparim Ndoi, Arian Korkuti, Kebjana Haka, Ketrina Çabiri, Ornela Çuçi dhe Ylljet Aliçka për raportin final. Bleriana Bino tha dje për “GSH” se katër kala (Selo, Palokastër, Antigonea dhe Labova e Kryqit) janë bërë me foto 360 gradë panoramike, ndërsa 8 të tjerat me digjitalizim, ndërsa modelet 3D janë bërë për të gjitha.

PROJEKTI
Krijimi i një rrjeti për promovimin e kështjellave i njohur si “NET-KESHTJELLA” ka si qëllim kryesor zhvillimin e turizmit kulturor përmes e-turizmit, është konkretizuar me digjitalizimin e 10 kalave në Ishujt Ioniane dhe Rajonin e Epirit (5 kala në ishullin e Korfuzit dhe 5 në Thesproti) dhe 12 kalave në Prefekturën e Gjirokastrës. Ky projekt i konceptuar si një udhëtim në kohë dhe hapësirë në formatin 3D është realizuar në bashkëpunim në kuadër të programit të IPA CBC “Programi Greqi-Shqipëri”, me mbështetjen e Bashkimit Europian, zbatuar nga Qendra UET në bashkëpunim me Prefekturën e Qarkut Gjirokastër dhe Rajonin e Ishujve Jonian/Njësinë Rajonale të Korfuz-it, si dhe me Rajonin e Epirit/Njësinë Rajonale të Thespotisë. Buxheti total i miratuar i projektit arrin vlerën e 495.355,02 . (Projekti është bashkëfinancuar nga Fondi Europian i Zhvillimit Rajonal të Bashkimit Europian rreth 75% dhe prej burimeve kombëtare rreth 25%). NET-KESHTJELLA Veç Fortesës së Vjetër dhe Kalasë së Kasiopit në Korfuz, Kalasë së Shën Mavrës në Lefkada, Kalasë Veneciane në Zakynthos, Kalasë së Shën Gjergjit në Kefalonia janë edhe disa kala në Prefekturën e Gjirokastrës si ajo e Gjirokastrës, Tepelenës, Libohovës. Kjo trashëgimi e pasur kulturore është parë si mjet bashkëpunimi, lidhjeje, dhe sinkronizimi mes fqinjëve grekë dhe Shqipërisë. Projekti ka synuar të krijojë një rrjet për promovimin dhe nxjerrjen në pah të trashëgimisë kulturore të kështjellave historike dhe zonave të piketuara.

Puna për dixhitalizimin filloi më 25 prill 2016, duke nisur nga vizitat në terren, konsultimin me hartat e kështjellave, etj ka vijuar me ndërtimin e rrjetit të pikave gjeodezike dhe matur ato me GPS me një stacion të përgjithshëm në çdo kështjellë. Është përdorur gjithashtu pajisja mbështetëse, një dron me krahë S1000 që ka fotografuar çdo kështjellë parë në një lartësi prej 40-50 metra. Në disa prej kështjellave, sidomos ato të vogla e larg qytetit, terreni nuk ka qenë mikpritës, dhe grupi punës e ka pasur të vështirë t’i vizitojë këto kështjella (Kalaja e Këlcyrës ka qenë rasti më i vështirë). Gjithashtu disa kështjella kanë qenë jo të mirëmbajtura, të mbuluar nga barishte dhe bimësi të tjera, gjë që ka penguar filmimet me dron për të pasur një model të qartë 3D drejtpërdrejt nga fotot. Projekti konkludoi me digjitalizimin e të dhënave për kalatë në: Gjirokastër, Tepelenë, Libohovë, Kardhiq, Kërcyrë, Shtëpëzë, Melan, Shën Triadhë dhe prodhimin e modeleve 3D për secilën kala për të kaluar më pas në materializimin e tyre. Prodhimi i panoramave 360 gradë duke përdorur fotot e marra në kalatë: Selo, Palokastër, Jerma (Antigonea), Labova e Kryqit, duke përdorur foto të marra me kamera digital dhe shkrirjen e tyre për të krijuar pamjet panoramike 360 gradë për secilën nga kalatë e mësipërme. Adresa në internet për info rreth projektit është netcastle.eu. Po aty do të hidhen edhe pamjet 3D të kalave.

QELLIMI
Qëllimi i përgjithshëm i projektit ishte të arrihej nëpërmjet përpjekjes së përbashkët të të dyja vendeve, trajtimi i sfidave të njëjta kulturore. Objektivat specifike të projektit përfshijnë: Përcjelljen e një karakteri të përbashkët, fuqizimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërkufitare, sikundër dhe rritjen e turizmit në rajon, rinovimin kulturor të turizmit (e-tourism), diferencimin e kështjellave nga monumente të tjera antike klasike, sensibilizimin dhe mobilizimin e komunitetit shkencor lokal, fuqizimin dhe sinkronizimin e metodave informuese për të gjithë banorët dhe vizitorët nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja, kontribut në edukimin kulturor të të rinjve. Objektivat specifikë të projektit janë: Nxjerrja në pah e trashëgimisë kulturore të zonës, dixhitalizimi i informacioneve që do të përzgjidhen për sa u përket monumenteve historike të zonës, zhvillimi për aplikimin e përshkimeve virtuale brenda hapësirës kohore nëpërmjet përfaqësimeve 3D të monumenteve historike, rritja e turizmit në rajon, përmirësimi i shërbimeve turistike dhe përmirësimin kulturor të turizmit (e-tourism), diferencimi i kështjellave nga monumentet e tjera klasike të antikitetit, fuqizimi dhe sinkronizimi i metodave informuese për të gjithë banorët dhe vizitorët, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja, edukimi kulturor i të rinjve, përmirësimi i bashkëpunimit midis dy vendeve dhe trajtimi i një problemi të përbashkët dhe përcjellja e përdorimit të teknologjive të reja. Mesazhi që del nga realizimi i këtij projekti është se ruajtja, pasurimi dhe promovimi i këtyre kështjellave nuk mund të përcillet në mënyrë të efektshme në nivel ndërkombëtar apo te brezat që do vijnë, pa u integruar në jetën turistike, ekonomike dhe për pasojë në atë shpirtërore të banorëve të këtyre zonave.

Aktualisht, vetëm në një kontekst ekonomiko-dinamik, shoqëruar nga teknologjitë e reja mund të zhvillohet realisht ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë, duke u bërë shtysë për zhvillimin e turizmit kulturor, si dhe mund të bëhet më e efektshme ruajtja e mjedisit natyror. I plotësuar e realizuar me mjete bashkëkohore imazhi, ky projekt përbën një burim të pazëvendësueshëm për njohjen e trashëgimisë së përbashkët kulturore. IMAZHET Droni nisi të marrë fotografi për çdo kështjellë. Kjo konsistoi në marrjen e fotografive të çdo kështjelle të parë në një lartësi prej 40-50 metra, me kënd 45 gradë. Fotot u përpunuan nga kompjuterët për të gjeneruar modelin 3D të kështjellave. Ky proces konsistoi në dhënien, përpunimin dhe grumbullimin me Pix4D Mapper, duke përdorur teknologjitë e reja të bazuar thjesht në përmbajtjen e imazhit, duke konvertuar imazhet në rezultate shumë të sakta, të përshtatshme për një gamë të gjerë aplikimesh të GIS dhe CAD.

Gjatë së njëjtës kohë u bënë matjet me GPS dhe vëzhgimin e terrenit për të marrë pika të sakta me koordinatat brenda dhe jashtë kështjellave. Pikat dhe shenjat ndihmojnë për të ndërtuar një model 3D të kështjellës me saktësi shumë të lartë. Javën e dytë përfunduan të gjitha matjet e nevojshme me GPS ndërsa gjatë javës së tretë u realizuan fotografitë ajrore për të gjithë kështjellat e planifikuara, me rezolucion të lartë dhe pozicionim të përllogaritur. Javën e katërt dhe të pestë u realizua përpunimi i nevojshëm i fotografive dhe matjeve GPS me software si Argisoft dhe Topcon. Në disa prej kështjellave, sidomos ato të vogla e larg qytetit, terreni nuk ka qenë mikpritës, dhe grupi i punës e ka pasur të vështirë t’i vizitojë këto kështjella (përmendim këtu Kalanë e Këlcyrës si rasti më i vështirë). -Shpesh kështjellat kanë qenë jo të mirëmbajtura, të mbuluar nga barishte dhe bimësi të tjera, gjë që ka penguar filmimet me dron për të pasur një model të qartë 3D drejtpërdrejt nga fotot.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: