Merr drejtim e ardhmja e Myrto Uzunit. “Givemesport” bën me dije se klubi amerikan i Austin Fc do të paguajë 12 milionë euro (për prishjen e kontratës së lojtarit me Granadan) për të fituar shërbimet e sulmuesit shqiptar.

Vendimtare në tratativa ka qenë këmbëngulja e Uzunit për t’u transferuar në MLS, një kampionat në të cilin ai do luajë për herë të parë në karrierën e tij. Sipas asaj që shkruhet mungon vetëm zyrtarizimi, i cili do vijë pas rënies dakord për detajet e akordit.

29-vjeçari Myrto Uzuni ka kaluar një periudhë mjaft pozitive te Granada, skuadër në të cilën u shndërrua në një lider të vërtetë. Madje, ai theu edhe rekorde, teksa u bë lojtari i huaj që ka shënuar më shumë gola me ekipin e Granadës.

Austin FC po bëhet gati për sezonin e ri, që për këtë skuadër fillon me 23 shkurt. Përveç Uzunit, klubi i MLS ka bërë edhe afrime të tjera.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb