Në lidhje me ngjarjen e rëndë ku një 12-vjeçar nga Maliqi humbi jetën në spitalin e Tiranës, familjarët kanë shpjeguar për mediat, jashtë kamerave, se djali i tyre ka qenë i shëndetshëm dhe nuk kishte pasur asnjë problem shëndetësor më parë, duke u marrë edhe me aktivitet sportiv.

Ata tregojnë se në fund të dhjetorit, djali kishte shkuar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit (me të vjella dhe temperaturë të lartë), ku ishte trajtuar në reanimacion. Më pas, ditën e djeshme, ata e kishin çuar urgjent në Tiranë, ku ishte shtruar në pavionin e Covid-it, ndërkohë që ata kishin kërkuar që ai të ndiqej në reanimacion.

Familjarët shpjegojnë se, pasi djali kishte filluar të kishte të vjella të pandërprera, ata e kishin komunikuar këtë me infermieren, por ajo u kishte thënë se “nuk ka mundësi”. Ata theksojnë se djalin nuk e trajtuan siç duhej, dhe në një moment, ai kishte shtërnguar gjoksin fort. Ata e kishin marrë në krahë për ta çuar tek urgjenca e pediatrisë, por gjatë rrugës djali ka humbur jetën në krahët e tyre.

Familjarët thonë se mjekët u kishin komunikuar se djali kishte pësuar arrest kardiak. Ata shprehen se janë të tronditur dhe pyesin nëse është e mundur që një virozë të ketë shkaktuar vdekjen e djalit, pasi ai nuk vuante nga diabeti apo probleme me zemrën. Ata gjithashtu thonë se gjatë ditëve të fundit, niveli i sheqerit në gjak të djalit kishte arritur deri në 200.

Në lidhje me ngjarjen, policia është duke hetuar për zbardhjen e rrethanave, duke marrë dëshmitë nga familjarët, të cilët kanë sqaruar se nuk kanë pranuar të kryhet ekspertiza mjekoligjore, që do të ndihmonte në sqarimin e plotë të ngjarjes. Ata kërkojnë respekt për dhimbjen që po kalojnë dhe nuk dëshirojnë që kjo çështje të vazhdojë më tej.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb