TIRANE – Komisioni Europian ka dhënë në mbrëmje, 13 konkluzione mbi Tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, që u zhvillua sot në Tiranë lidhur me përmbushjen e 5 Prioriteteve Kyçe për hapjen e negociatave. Në to përshëndetet progresi me reformat në drejtësi, në administratë publike dhe luftën kundër korrupsiont.

Por, Komisioneri Hahn nënvizoi se puna konstruktive në Parlament mes qeverisë dhe opozitës është thelbësore për qëndrueshmërinë e procesit të reformave drejt BE-së. Ai nënvizoi rëndësinë e respektimit dhe zbatimin e marrëveshjes politike të dhjetorit e cila i dha fund bojkotit parlamentar.

Hahn përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në reformën e sistemit gjyqësor, përfshirë ngritjen e komisionit parlamentar ad hoc për reformën e gjyqësorit; përshëndeti progresin që ka bërë Shqipëria në fushën e reformës së administratës publike me fillimin e zbatimit të Ligjit mbi Shërbimin Civil; përshëndeti angazhimin e qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit. Lidhur me reformën në drejtësi, Hahn nënvizoi rëndësinë e një procesi përfshirës reformash nën drejtimin e Komisionit të Venecias.

Në konkluzione, vlerësohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve.Komisioneri Hahn shtoi se Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për reforma me ekspertizë dhe ndihmë financiare e do të vazhdojë të sigurojë asistencë dhe të monitorojë progresin në zbatimin e reformave në kuadrin e Dialogut.

13 KONKLUZIONET E DIALOGUT TE NIVELIT TE LARTE

1- Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Johannes Hahn drejtuan Takimin e pestë të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Përparësitë Kyçe ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, më 24 mars 2015. Seanca plenare përfshiu pjesëmarrjen e qeverisë dhe të opozitës, nëpërmjet kryetares së Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të institucioneve të pavarura.

2 – Pjesëmarrësit në Dialog vunë në dukje vlerësimin e bërë në Raport-Progresin e Komisionerit mbi progresin e bërë nga Shqipëria në 5 Përparësitë Kyçe. Gjithashtu pranuan se sfidat që shtrihen përpara kërkojnë përpjekje të mëdha dhe të qëndrueshme nga Shqipëria. Komisioneri Hahn theksoi se konsolidimi i vrullit të reformës dhe arritja e reformave të pandërprera dhe të qëndrueshme në fushat e përfshira në pesë Përparësitë Kyçe është thelbësor për progresin drejt integrimit në BE dhe do t’i nënshtrohet një mbikëqyrje nga afër nga ana e BE-së.

3 – Komisioneri Hahn nënvizoi se puna konstruktive në Parlament mes qeverisë dhe opozitës është thelbësore për qëndrueshmërinë e procesit të reformave drejt BE-së. Ai theksoi rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të qetë të marrëveshjes politike të dhjetorit që i dha fund bojkotit parlamentar.

4 – Komisioneri Hahn përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në reformën e sistemit gjyqësor, përfshirë ngritjen e komisionit parlamentar ad hoc për reformën e gjyqësorit. U ra dakord që vendi do ta informojë Komisionin për punën dhe arritjet e komisionit parlamentar. Komisioneri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një procesi përfshirës reformash nën drejtimin e Komisionit të Venecias. Ai theksoi se forcimi i pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor është thelbësor për një shtet ligjor të fortë dhe veçanërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. U ra dakord që strategjia për reformën e gjyqësorit 2014-2020 të përfundohet dhe të shtohen përgatitjet për mbështetjen e mundshme të sektorit të buxhetit.

5 – Pjesëmarrësit e Dialogut vunë në dukje se Grupet e Përbashkëta të Punës për pesë Përparësitë Kyçe mbajtën takimin e tyre të dytë më 5 shkurt 2015 në Tiranë. Konkluzionet operative të Grupeve të Përbashkëta të Punës u miratuan si shtojcë integrale e këtyre konkluzioneve. Komisioneri Hahn nënvizoi rëndësinë e zbatimit të masave të identifikuara nga Grupet e Përbashkëta të Punës dhe nxiti punën e mëtejshme në përputhje me masat e përcaktuara në Udhërrëfyes.

6 – Komisioneri Hahn përshëndeti progresin që ka bërë Shqipëria në fushën e reformës së administratës publike me fillimin e zbatimit të Ligjit mbi Shërbimin Civil dhe rikujtoi se asnjë ndryshim legjislativ nuk duhet ta minojë objektivin e ngritjes së një administrate publike të bazuar në merita dhe të depolitizuar. Në këtë kontekst, përmirësimi i mëtejshëm i mbledhjes dhe monitorimit të të dhënave është kyç. Shqipëria u nxit gjithashtu të vazhdojë me miratimin në kohën e duhur të Kodit të Procedurave

7 – Administrative dhe përfundimin e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike për periudhën 2015-2020. Pjesëmarrësit e Dialogut nënvizuan rëndësinë e funksionimit si duhet dhe pavarësisë së institucioneve demokratike kyç si parlamenti, gjyqësori dhe autoritetet gjyqësore, si dhe institucioneve të tjera të pavarura. Ata rikujtuan se institucionet e pavarura luajnë një rol kyç në përmbushjen e kriterit politik dhe detyrimeve në kuadrin e acquis të BE-së. U ra dakord që Shqipëria të veprojë sipas konkluzioneve operative të seminarit mbi institucionet e pavarura të 3 shkurtit 2015 për të garantuar profesionalizmin dhe depolitizimin e institucioneve të pavarura, si dhe për të garantuar më shumë stabilitet, si në kuadrin e tyre ligjor ashtu dhe në politikat e burimeve njerëzore.

8 – Komisioneri Hahn përshëndeti angazhimin e qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe përfshirjes në këtë kontekst të rekomandimeve të Vlerësimit të Kuadrit Antikorrupsion në strategjinë kundër korrupsionit dhe në planet e veprimit.

9 – Pjesëmarrësit e Dialogut përshëndetën angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër trafikut të drogës dhe shtimin e numrit të operacioneve për identifikimin dhe çrrënjosjen e kultivimit të narkotikëve. Ata nënvizuan se duhet forcuar bashkëpunimi mes institucioneve të zbatimit të ligjit për të rritur efikasitetin e hetimeve.

10 – Kryeministri Rama theksoi se angazhimi ndaj Zgjerimit të BE-së kontribuon për modernizimin e Shqipërisë dhe i sjell përfitime gjithë qytetarëve shqiptarë. Në ketë kontekst, Shqipëria pranon se dhënia e statusit të vendit kandidat shërben si inkurajim për përpjekje të mëtejshme të vendosura në procesin e reformave. Kryeministri Rama shprehu shpresën se vendimi për të ecur drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit do të bëhet përmes një procesi të besueshëm dhe të parashikueshëm, në bazë të përmbushjes së pesë përparësive kyçe.

11 – Komisioneri Hahn shtoi se Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për reforma me ekspertizë dhe ndihmë financiare. Sa i takon dhënies së mbështetjes së mundshme financiare nga BE për sigurimin e pajisjeve për autoritetet e zbatimit të ligjit, Komisioneri nënvizoi rëndësinë e shtimit të mëtejshëm të përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo do të nënkuptojë, mes të tjerash, masa të vendosura për eliminimin e pengesave të mbetura për kryerjen e hetimeve proaktive dhe efikase, përfshirë miratimin e ndryshimeve të synuara ad hoc të Kodit të Procedurës Penale ndër të tjera dhe përdorimin efektiv të hetimeve financiare.

12 – Kryeministri konfirmoi angazhimin e tij për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës, çka është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave. Ai shtoi se ngritja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) që do të kryesohet nga opozita, është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të gjithëpërfshirjes së procesit të reformave që lidhen me BE-në dhe u angazhua ta vërë sa më parë në punë.

13 – Komisioni do të vazhdojë të sigurojë asistencë dhe të monitorojë progresin në zbatimin e reformave në kuadrin e Dialogut të Nivelit të Lartë dhe Grupeve të Përbashkëta të Punës për përparësitë kyçe. Shqipëria do të sigurojë raporte mbi zbatimin e Udhërrëfyesit sipas afatit kohor dhe udhëzimeve të vendosura me Komisionin.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: