Në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24, demokrati Oerd Bylykbashi tha se pavarësisht procedurave të nisura nga Kuvendi për ta shkarkuar, dekreti i Presidentit Ilir Meta qendron në fuqi, deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

“13 Tetori është në fuqi, vetëm Kushtetuesja mund ta rrëzojë. Dekreti është në fuqi edhe po u shkarkua Meta”,- tha ai.

Në të njëjtin mendim ishte edhe gazetari Carlo Bollino. Sipas tij, “Nëse Kushtetuesja vlerëson se dekreti është i vlefshëm zgjedhjet do të bëhen. Rama duhet të bëjë zgjedhje”.

Ndërsa analisti Fatos Lubonja u shpreh se opozita duhet të afrohet më shumë me njerëzit dhe të mos presë që pushtetin tua dorëzojnë ndërkombëtarët.

“Një populli që ja sjellin lirinë dhe demokracinë ndërkombëtarët prapë nuk e meriton. Meta tha një gjë të rëndësishme, ta marrim në dorë fatin jo të armatoset populli, por të shkojë tek njerëzit. Opozita s’ka përfaqësuar njerëzit, nëse shkon tek njerëzit opozita s’ka nevojë t’ja japë Merkel apo dikush tjetër pushtetin. Ilir Meta është më realisti, të paktën në instinktin politik. E ka identifikuar të keqen, rrezikun pastaj sa fuqi kanë, sa do shkojnë tek njerëzit dhe a mund t’i stepë Rama, kjo nuk dihet. Unë them që ndërkombëtarët më mirë të mbështesin Ramën deri në fund”.

Në kundërpërgjigje, Luan Rama i tha zotit Lubonja, se ata nuk presim pushtet nga ndërkombëtarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: