Katërmbëdhjetë gjyqtarë kanë nisur këtë javë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të diskutuar pavarësinë, integritetin dhe efikasitetin gjyqësor. Lajmi u bë me dije nga ambasada amerikane në Tiranë, ku thuhet se 7 gjyqtarë janë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe 7 të tjerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Sipas njoftimit të ambasadës së SHBA, gjyqtarët janë takuar të hënë në Denver të Kolorados me 12 dymbëdhjetë gjyqtarë amerikanë të themelit dhe të apelit, të cilët e vunë theksin te vendimet e pavarura të gjyqësorit pa ndikime të jashtme, pavarësisht kërcënimeve.

Kjo vizitë vjen pas udhëtimit në korrik në Shqipëri të tre të ftuarve të rëndësishëm amerikanë: Kryetari i Gjykatës së Rrethit Robert J. Shelby, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Utah, Paige Petersen dhe Prokurorja e SHBA Trina Higgins.


Njoftimi i ambasadës amerikane:

Këtë javë, shtatë gjyqtarë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe shtatë nga Gjykata e Posaçme e Apelit po vizitojnë Shtetet e Bashkuara në një udhëtim të udhëhequr nga Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) dhe financuar nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) për të shkëmbyer ide me gjyqtarë dhe prokurorë mbi tema kyçe, përfshirë pavarësinë, integritetin dhe efikasitetin gjyqësor. Delegacioni filloi vizitën në Denver, Kolorado të hënën, ku u takua me dymbëdhjetë gjyqtarë amerikanë të themelit dhe të apelit dhe vëzhguan procedurat gjyqësore. Gjyqtarët amerikanë shprehën admirimin dhe mbështetjen e tyre për punën jetike të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së çështjeve në mënyrë të pavarur, pa ndikim të jashtëm dhe këmbëngulje pavarësisht kritikave dhe kërcënimeve. Kjo vizitë vjen pas udhëtimit në korrik në Shqipëri të tre të ftuarve të rëndësishëm amerikanë: Kryetari i Gjykatës së Rrethit Robert J. Shelby, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Utah, Paige Petersen dhe Prokurorja e SHBA Trina Higgins. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme dhe për t’i nxitur ata të vendosin në mënyrë të pavarur, bazuar vetëm në ligj dhe fakte.

Shba1
Shba1

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb