TIRANË- Policia e Shtetit ka dhënë sot detaje në lidhje me arrestimin e disa personave, pjesë e një grupi kriminal të gjobëvënësve, mes tyre edhe Pajtim Serjani, i njohur si mik i Emiljano Shullazit. Rebani Jaupi, Zëvendësdrejtor i Krimeve të Rënda tha sot se në pranga janë vënë 4 persona, ndërsa 2 të tjerë janë në kërkim. Gjithashtu nën akuzë është edhe një 37-vjeçar që ndodhet në burgun e Peqinit, i dënuar për vrasje dhe që mendohet se drejtonte grupin. Ky grup kriminal me anë të kanosjes e dhunës përfitonte përqindje të aksioneve në një biznes. Mësohet se biznesmeni i kanosur dhe i dhunuar nga grupi është me iniciale J.B., ndërsa gjobëvënësit kishin përfituar 15 milion lekë prej tij.

Kështu të arrestuar janë shtetasit Pajtim Serjani, 33 vjeç; Klevis Kardashi, 32 vjeç; Ditmar Reçi, 34 vjeç dhe Arianit Luli, 32 vjeç. Pjesë e këtij grupi sipas policisë është edhe Genc Ferati, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit dhe mësohet se komunikonte nga qelia përmes rrjeteve sociale me të dëmtuarin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim dy anëtarë të tjerë të këtij grupi, 26-vjeçari Elvis Karolli dhe 45-vjeçari Arben Haxhihyseni. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për të 7 këta persona, ndërsa zbulimi i grupit dhe arrestimi i 4 prej tyre erdhi pas një pune hetimore prej 4 muajsh ndërmjet Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë.

Gjithashtu janë sekuestruar 3 automjete, njëri i blinduar dhe 200 copë kartëmonedha të prerjes 100 euro.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda ka goditur një grup kriminal, që dyshohet se kanë kërcënuar një biznesmen duke i vënë gjobë dhe duke e shtrënguar përmes dhunës fizike e psiqike për të përfituar shuma të konsiderueshme parash.

Operacioni i koduar “Burgu Skajp” nisi dje në orët e pasdites dhe po vijon me kontrolle në banesa të të dyshuarve.

Policia e Tiranës ekzekutoi 5 masa sigurie “Arrest me burg” për shtetasit:

1 – Genc Shpetim Ferati, 37 vjeç, i cili po vuan një dënim në IEVP Peqin,  i dënuar më parë për “Vrasje”;

2 – Pajtim Xhevair Serjani, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë “Për moskallzim krimi”;

3 – Arianit Gezim Luli, 31 vjeç, banues në Tiranë;

4 – Ditmar Dilaver Reçi, 31 vjeç, banues në Tiranë;

5 – Klevis Ali Kardashi, i njohur me nofkën “Kinezi”, 32 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim:  

shtetasi me iniciale E. K. 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, për “Armëmbajtje pa leje”, si edhe shtetasi me iniciale A. H. 45 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë, për “Vrasje”.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga data 6 shkurt 2015 e në vazhdim  me anë të shtrëngimit, kanosjes dhe dhunës fizike e psiqike i kanë marrë përqindje aksionesh nga aktiviteti i biznesit një shtetasi në Tiranë, si dhe i kanë kërkuar një shumë parash, duke pretenduar ndarjen e fitimeve nga aktiviteti tregëtar.

Grupi drejtohej nga shtetasi Genc Ferati, i cili komunikonte nga qelia e burgut të Peqinit nëpërmjet rrjeteve sociale, me të dëmtuarin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Policia e Tiranës sekuestroi në cilësinë e provës materiale:

  • 200 copë kartmonedha të prerjes 100 euro të falsifikuara
  • 5 aparate celularë
  • dy mjete, “Audi-Q-7” si dhe një mjet i blinduar “Mercedes Benz”.

Materialet proceduriale do ti kalojne Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kryer në bashkëpunim”, Neni 109/b – 2 dhe 25 i Kodit Penal.

Policia e Tiranës fton gjithë qytetarët të bashkëpunojnë duke telefonuar në numrin 129 dhe shpreh vendosmërinë për të goditur çdo element kriminal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb