Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i PD-së dhe Kuvendit, në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në Neës24, duke folur për incidentin që i ndodhi gjatë protestës së fundit të thirrur nga Partia Demokratike, ku ai u dhunua nga policia, tha se nuk bëri asgjë që të meritonte një sjellje të tillë.
“Nuk jam një person që kërkoj as heroizimin as viktimizimin. Jam sjellë në mënyrë vetëmbrojtëse. Jam drejtues Politik i Qarkut të Lezhës dhe kam për detyrë t’i prij njerëzve. Jam gjendur befas i rrethuar nga 10 apo 15 policë, të cilëve megjithëse iu prezantova se kush jam, nuk ia dola dot”, tha Gjekmarkaj.
Nënkryetari i PD-së u shpreh se nuk e mendonte që do të ndodhte ajo që ndodhi pasi protestuesit ishin paqësorë.
“Isha mbështetur te një makinë e vogël që ishte e ndalur, ndodhesha me efektivin e Gardës që kam për hir të postit si nënkryetar i Kuvendit. Të ushtrosh presion ndaj nënkryetarit të Kuvendit, të jeni të sigurtë se kemi të bëjmë me një urdhër politik”, tha Gjekmarkaj.
Ai tha se policia filloi me shtyrje, me shumë forcë madje, forca e tyre po shtohej, nuk jam i përgatitur për veprime të forta fizike. “Ia thashë me të qeshur policëve, nuk jam person që shkoj në palestër, nuk jam i përgatitur për veprime të forta fizike, por kjo e thënë me të qeshur nuk vleu dhe policia shtoi presionin, shtyrjet e forta”, tha Gjekmarkaj.